Placenta Accreta: Çfarë është dhe pse shkakton gjakderdhje të rrezikshme dhe lindje të parakohshme

Placenta Accreta: Çfarë është dhe pse shkakton gjakderdhje të rrezikshme dhe lindje të parakohshme

Placenta Accreta shpesh nuk jep simptoma, por bën pjesë në ndërlikimet më serioze të shtatzënisë dhe mund të shkaktojë gjakderdhje të rëndë dhe lindje të parakohshme

Placenta accreta është një gjendje serioze e shtatzënisë që ndodh kur placenta ngjitet shumë thellë në murin e mitrës. Normalisht, placenta ndahet nga muri i mitrës pas lindjes. Te placenta accreta , një pjesë ose e gjithë placenta mbetet e ngjitur fort. Kjo mund të shkaktojë humbje të madhe gjaku pas lindjes.

Në disa raste, placenta mund të depërtojë në shtresën muskulare të mitrës (placenta increta) ose të shpojë të gjithë murin e mitrës dhe të përhapet në organet përreth (placenta percreta). Këto janë format më të rënda dhe më të rrezikshme të këtij komplikacioni.

Sipas ACOG, rastet e akretës janë rritur 7-fish në 30 vitet e fundit për shkak të shtimit të prerjeve cezariane.

Placenta accreta konsiderohet ndërlikim i shtatzënisë me rrezik të lartë. Nëse gjendja diagnostikohet gjatë shtatzënisë, lindja zakonisht kryhet me prerje cezariane, e ndjekur shpesh nga heqja kirurgjikale e mitrës (histerektomia), për të parandaluar gjakderdhjen e rrezikshme, transmeton Telegrafi.Simptomat
Placenta accreta zakonisht nuk shkakton shenja ose simptoma gjatë shtatzënisë, megjithëse mund të shfaqet gjakderdhje vagjinale gjatë tremujorit të tretë. Në disa raste, placenta akreta zbulohet rastësisht gjatë një ekografie rutinë, dhe shpesh konfirmohet përmes MRI, veçanërisht nëse placenta dyshohet të jetë shumë afër zonës së plagës së mëparshme cezariane.

Shkaqet

Mendohet se placenta accreta lidhet me anomali të shtresës së brendshme të mitrës (endometriumit), zakonisht për shkak të indeve të mbresë pas prerjes cezariane ose operacioneve të tjera të mitrës. Megjithatë, nganjëherë placenta akreta shfaqet edhe te gra pa histori të ndërhyrjeve kirurgjikale në mitër.

Burime si Mayo Clinic theksojnë se çdo dëmtim i mëparshëm i endometriumit e rrit rrezikun e ngjitjes jonormale të placentës.

Faktorët e rrezikut

Shumë faktorë mund ta rrisin rrezikun e placenta akretës, duke përfshirë:

• Operacionet e mëparshme të mitrës. Rreziku rritet me numrin e prerjeve cezariane ose ndërhyrjeve të tjera kirurgjikike. Pas 3-4 prerjeve, rreziku rritet ndjeshëm.
• Pozicioni i placentës. Nëse placenta mbulon qafën e mitrës (placenta previa) ose ndodhet në pjesën e poshtme të mitrës, rreziku i ngjitjes së thellë rritet më shumë se 10-fish, sipas ACOG.
• Mosha e nënës. Placenta akreta është më e shpeshtë te gratë mbi 35 vjeç.
• Shtatzënitë e mëparshme. Rreziku rritet paralelisht me numrin e shtatzënive.

Komplikimet

Placenta akreta mund të shkaktojë:

• Gjakderdhje të rëndë vagjinale. Placenta e futur thellë paraqet rrezik të madh për hemorragji pas lindjes. Gjakderdhja e madhe mund të çojë në gjendje të rrezikshme për jetën, si koagulimi intravaskular i përhapur (DIC), dështim të frymëmarrjes (ARDS) dhe dështim të veshkave. Shpesh kërkohet transfuzion i menjëhershëm gjaku.
• Lindje të parakohshme. Placenta akreta rrit rrezikun e nisjes së parakohshme të lindjes. Nëse shfaqet gjakderdhje gjatë shtatzënisë për shkak të ngjitjes anormale të placentës, mund të jetë e nevojshme që lindja të kryhet më herët se parashikohet, zakonisht midis javës 34–36./Periskopi/

Shpërndaje në: