Po kërkonin ndihmë në Gaza, forcat izraelite vrasin 67 palestinezë

Po kërkonin ndihmë në Gaza, forcat izraelite vrasin 67 palestinezë

Të paktën 67 persona janë vrarë teksa prisnin ndihmat humanitare të OKB-së në veri të Rripit të Gazës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e territorit, e cila kontrollohet nga Hamasi. Sipas saj, viktimat ishin civilë që prisnin furnizime urgjente në një kohë kur situata humanitare në rajon po përkeqësohet në mënyrë dramatike.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar se kanë kryer të shtëna paralajmëruese në atë zonë, duke thënë se vepruan për të neutralizuar një “kërcënim të menjëhershëm”. Megjithatë, ato kanë kundërshtuar shifrat e publikuara nga autoritetet palestineze, përcjell Periskopi.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu raportoi se gjashtë persona të tjerë janë vrarë në një incident të ngjashëm në një tjetër pjesë të Gazës, ndërsa më shumë se 150 vetë janë plagosur – disa në gjendje kritike.

Të shtunën, autoritetet palestineze paralajmëruan për rritje ekstreme të urisë në Gaza, duke theksuar se një numër gjithnjë në rritje njerëzish po mbërrijnë në spitalet dhe qendrat e ndihmës në gjendje të rënduar fizike, të rraskapitur nga mungesa e ushqimit dhe ndihmave themelore.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka lëshuar urdhra të reja evakuimi për zona të populluara të Gazës qendrore, edhe pse në ato zona nuk ka pasur ende një ofensivë tokësore gjatë 21 muajve të luftës intensive me Hamasin. Kjo ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te mijëra civilë që tashmë janë zhvendosur disa herë që nga fillimi i konfliktit.

Shpërndaje në: