Poezia më e re e Albin Kurtit është për koronavirusin: Problem i madh me rimën, dhe e dobët lidhja mes “këmbëve” e “mushkërive”
Albin Kurti, kryeministri në detyrë, në ikje, në dorëheqje, por i padetyruar i Kosovës, njihet si një merakli i madh i poezive të krijuara në mënyrë të atypëratyshme. Një gjë të tillë, ai e bëri edhe sot.
Para zgjedhjeve të 6 tetorit, z.Kurti në fushatë kishte çuditur pjesëmarrësit në një tubim elektoral kur në mënyrë të vazhdueshme kishte përsëritur numrin e partisë: 126.
Sidoqoftë, nuk ishte aspak e thjeshtë siç mund ta mendoni: Ai këtë e kishte bërë duke iu referuar këtij numri herë si njëqind-e-njëzet-e-gjashtë, e herë thjesht si një-dy-gjashtë. Pra, ritmi ndërtohej nga tingulli që e ofronte numri gjashtë, komenton Periskopi.
Poezia e tij më e fundit i kushtohet koronavirusit, ose të paktën përpjekjes për pandalimin e përhapjes së tij.
Në konferencën e fundit për shtyp, ku ndodhej i shoqëruar me ministrin Vitia ai recitoi:
“Le t’mos ia japim virusit këmbët tona,
që pastai korona t’na i marrë mushkëritë tona.”
Siç mund ta vëreni, për të ndërtuar rimën ai përdoron dy herë fjalën pronësore “tona”. Në fakt, rimat bëhen duke mos përdorur të njëjtën fjalë por thjesht të njëjtin tingull.
Por, puna bëhet edhe më keq nëse analizojmë lidhjen e dobët që bën mes këmbëve dhe mushkërive. Logjika e brendshme e poezisë implikon se virusi qarkullon me anë të këmbëve, megjithëse këtu kemi përdorim të figurshëm, dhe ngjitet pastaj në mushkëri. Pa e zgjatur shumë mund të themi se kjo mund të jetë lidhja më e dobët e figurshme që është bërë në histori të poezisë shqipe.



