Polici jashtë detyrës dhe një qytetar gjuhen me armë zjarri në Ferizaj, 16 gëzhoja në vendin e ngjarjes
Një polic i Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, dhe një qytetar, janë gjuajtur me armë zjarri në Doganaj të Ferizajt.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi Kanun Veseli. Në vendin e ngjarjes, janë gjetur 16 gëzhoja.
“Sot, më 21.07.2025, rreth orës 00:50 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë, për një rast të gjuajtjes me armë zjarri në fshatin Doganaj të Ferizajt, ku dy persona janë plagosur. Në vendin e ngjarjes kanë dalë fillimisht policët e rendit, e më pas edhe Njësia e Hetimeve Rajonale dhe Forenzika”.
“Nga hetimet fillestare mësohet se në incident ishin të përfshirë dy persona: një qytetar me veturën “Golf 7” dhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, me veturën “BMW”. Për shkak të përfshirjes së zyrtarit policor, është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri (pistoleta), 16 gëzhoja dhe një predhë. Ndërsa janë intervistuar dy dëshmitarë që gjendeshin në njërën nga veturat”.
“Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me IPK-në dhe nën autorizimin të prokurorit kujdestar të krimeve të rënda, derisa rasti është cilësuar “Vrasje e mbetur në tentativë dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, tha Veseli.



