Policia arreston “mashtruesin” që dyshohet se pastroi mbi 2 milionë euro

Policia arreston “mashtruesin” që dyshohet se pastroi mbi 2 milionë euro

Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës ka zhvilluar hetime ndaj gjashtë të dyshuarve meshkuj kosovarë nën dyshimin e bazuar se në bashkëveprim kanë kryer veprat penale të mashtrimit.

Personat në fjalë dyshohet se ndaj shtetasve të Kosovës në vazhdimësi nga viti 2015 deri në vitin 2019 kanë kryer mashtrime me avio-bileta, për çka edhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale në prokuroritë përkatëse.

Policia e Kosovës gjatë punës hetimore ka arritur të siguroj dëshmi se njëri nga të dyshuarit i cili ka qenë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me mashtrime në shitjen e avio-biletave, po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara prej tij.

Kompanitë e përdorura për këtë skemë kanë rezultuar se janë në pronësi të të dyshuarit i cili është arrestuar.

Vlera totale e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kompanive tejkalon shumën prej 2,000,000.00 euro (dy milion euro), po ashtu nga hetimet financiare rezulton se vetë i dyshuari po ashtu ka kryer Vdeponime në para të gatshme mbi 800,000.00 euro (tetëqind mijë euro) për  të cilat nuk është dëshmuar prejardhja e tyre dhe të njëjtat nuk janë justifikuar me aktivitetin ekonomik të deklaruar.

Lidhur me rastin pas intervistimit të personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës, ndaj të njëjtit prokurori ka lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh.

Shpërndaje në: