Policia e Kosovës demanton lajmin se ROSU rrahu dy të rinj të nacionalitetit serb
Referuar deklarimeve dhe publikimeve të datës djeshme nga disa mediume, se në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë rrahur nga zyrtarë policorë siç e quajnë ata njësia ROSU, policia e Kosovës ka ndalur me një njoftim.
Policia e Kosovës thotë se menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente.
“Bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Polici të Kosovës, informacion ky i cili iu është kumtuar mediave të interesuara kryesisht serbe”.
Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës thotë se i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të PK-së. /Periskopi/



