Policia konfirmon aksionin kundërkorrupsion: Disa persona u shoqëruan për intervistim

Policia konfirmon aksionin kundërkorrupsion: Disa persona u shoqëruan për intervistim

Policia e Kosovës, e ka konfirmuar aksionin kundërkorrupsion që u zhvillua në bashkëpunim me AKI-në dhe Prokruorinë Speciale, raporton Periskopi.

Sipas Policisë, deri më tani janë shoqëruar për intervistim disa persona.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me AKI-në dhe urdhër të PSRK-së, ka realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme. Lidhur me rastin i cili po trajtohet nga DHKEK-ja, në bashkëpunim me akterët e tjerë, janë shoqëruar për intervistim disa persona. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në konfirmimin e Policisë për Gazetën Online Reporteri.net.

Ndryshe, ministri në detyrë i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë e persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Siç merr vesh Periskopi, në mesin e të arrestuarve është dhe kryetari i Gjykatës – Degës në Graçanicë, Jovica Mitrovic.

Sveçla ka thënë se autoritetet zhvilluan aksionin bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe hetime disamujore nga Policia e Kosovës.

“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I. Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipas tij, grupi dyshohet se “përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”.

Shpërndaje në: