Policia me apel urgjent: Kujdes në rrugën Pejë-Rugovë, rrezik nga shembja e gurëve
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në aksin rrugor Pejë-Rugovë.
Ky apel vjen si pasojë e rritjes së rrezikut për shembje të gurëve dhe dherave, fenomen ky i shpeshtuar nga reshjet e fundit atmosferike. Policia bën të ditur se ditëve të fundit në këtë zonë janë regjistruar aksidente me dëme materiale dhe persona të lënduar.
“Për shkak të reshjeve të vazhdueshme, mundësia e shembjeve të gurëve është më e madhe. Kërkojmë nga qytetarët të kenë kujdes të shtuar për të shmangur ndonjë aksident”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në terren për garantimin e sigurisë dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të drejtuesve të automjeteve që të përshtatin shpejtësinë dhe të rrisin vigjilencën.



