Policia për rastin e plagosjes në Ferizaj: 32-vjeçari është dërguar në QKUK, 24-vjeçarja në emergjencën e qytetit
Një rast i rëndë ka ndodhur në Ferizaj, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur një 24-vjeçare dhe një 32-vjeçar.
Lidhur me këtë, Policia e Ferizajt ka bërë të ditur për Sinjalin se 32-vjeçari pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Ferizaj, është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor, ndërsa 24-vjeçarja po trajtohet në emergjencë në Qendrën Emergjente të qytetit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të rendit, hetuesit e stacionit, si dhe hetuesit dhe krim-teknikët nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët janë duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe po punojnë intensivisht për të sqaruar rrethanat që kanë çuar deri te kjo plagosje.
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.



