Policia realizon kontroll në Suharekë, gjen narkotikë, armë dhe mjete të rrezikshme
Policia e Kosovës njofton opinionin publik se më 11.03.2026, pas pranimit të një urdhri me shkrim nga Gjykata Themelore në Prizren, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kanë realizuar një kontroll në një banesë në Suharekë.
Kontrolli është kryer në shtëpinë ku banonte i dyshuari L.Sh., në Suharekë.
Sipas njoftimit gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar rreth 178.72 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.91 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Po ashtu janë sekuestruar edhe një armë zjarri automatike (dyshohet me gas) e markës BLOË/SËAT pa numër serik me një karikator, 16 fishekë të kalibrit 9 mm, një rrotull foli alumini dhe një telefon mobil.
Më tutje bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur edhe katër shishe të përgatitura në mënyrë artizanale, të dyshuara se përmbanin lëndë djegëse me mekanizëm ndezës.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjithashtu para të gatshme në vlerë prej 350 euro dhe 60 franga zvicerane, si dhe një çelës i derës së banesës.
Lidhur me mjetet e rrezikshme të gjetura, në vendngjarje është thirrur njësia EOD, e cila i ka tërhequr ato për trajtim dhe asgjësim të sigurt.
Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ai është dërguar në qendrën e ndalimit.
Rasti është iniciuar për veprat penale nga nenet 267 dhe 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren.




