Prapaskenat me Enis Bardhin, ja pse pranoi ftesën e Maqedonisë
Gjithçka për pasojë të vonesave të shumta dhe mungesës së një ftese për të përfaqësuar fanellën kuqezi. Pritja e gjatë e lodhi mesfushorin 22-vjeçar, i cili nuk kishte ndër mend të priste përjetësisht një ftesë nga FSHF-ja për të luajtur me Kombëtaren shqiptare dhe për këtë fakt vendosi të zgjidhte të luante për Maqedoninë, e cila e kërkonte me ngulm.
PRAPASKENAT- Enis Bardhi ka qenë në listën e dëshirave të ish-trajnerit Xhani De Biazi, e cili e kishte në planet e së ardhmes mesfushorin e talentuar.
“Panorama Sport” zbulon se mes italianit dhe lojtarit shqiptar ka pasur kontakte të vazhdueshme kohë më parë dhe Bardhi kishte pranuar të luante për Shqipërinë.
Mirëpo, De Biazi i kishte thënë se për momentin nuk kishte shumë mundësi për ta grumbulluar sepse në repartin që luan ai (mesfushë) kishte shumë të tjerë. 22-vjeçari me familjen e tij e pranuan deri diku këtë gjë dhe vendosën të prisnin, por ftesa nuk po vinte kurrë.
Nga ana tjetër, Maqedonia kërkonte me këmbëngulje dhe i gjendur përballë kësaj situate, Bardhi vendosi të luante për Maqedoninë. 22-vjeçari ka lindur në Shkup dhe aktualisht është pjesë e skuadrës së Levantes në kampionatin spanjoll.
Ai ishte titullar në sfidën mes Maqedonisë dhe Shqipërisë të luajtur në Strumicë, e cila përfundoi barazim dhe Bardhi zhvilloi një ndeshje deri diku pozitive.
Mund të kishte veshur fanellën kuqezi në ato 90 minuta, por atë e provoi vetëm në fund pasi e ndërroi me Hykën në fundin e ndeshjes. Ndoshta mund të jetë bërë një mësim i mirë për FSHF-në, që të mos i vonojë shumë ftesat, të paktën për lojtarët që i ka në plane.



