Prefekti i Saint Etienne fajësoi UEFA-n për trazirat në ndeshjen Kroaci-Çeki

Prefekti i Saint Etienne fajësoi UEFA-n për trazirat në ndeshjen Kroaci-Çeki

Prefekti i Saint Etienne, Evence Richard, ka fajësuar Asociacionin Evropian të Futbollit (UEFA) për shkak të trazirave të tifozëve në ndeshjen mes Kroacisë dhe Çekisë në stadiumin Geoffroy Guichard gjatë të premtes, duke theksuar se shtëpia evropiane e futbollit nuk e ka përmbushur në mënyrë adekuate detyrën e saj,.

Para përfundimit të ndeshjes mes Kroacisë dhe Çekisë (2:2), konkretisht në minutën e 86-të një grup i tifozëve kroatë hodhi në fushë disa fishekzjarre, ndërsa u dëgjua edhe një godite me top.

Arbitri për një kohë të shkurtër ndërpreu ndeshjen, ndërsa pishtarët u hoqën nga fusha. Në tribuna ndodhi edhe përleshja mes tifozëve kroatë.

Mediat transmetojnë se një tifoz kroat i cili kontrabandoi pishtarët në stadium, është arrestuar dhe javën e ardhshme do të dalë para gjykatës.

Richard për mediat lokale deklaroi se UEFA duhet të shpërndajë 150 deri në 200 pjesëtarë shtesë të forcave të sigurisë në stadium me qëllim që “në mënyrë të përshtatshme të përmbushë detyrën e saj”.

“Tifozëve iu lejua hyrja në stadium 30 minuta me vonesë. Njëra hyrje ka qenë e mbyllur tërë mbrëmjen dhe rreth 2.000 deri 3.000 shikues nuk kanë mund të hyjnë në tribuna kur filloi ndeshja”, tha njeriu i parë i Saint Etienne.

Asociacioni Evropian i Futbollit për shkak të trazirave të tifozëve në ndeshjen e lartpërmendur ka ngritur procedurë disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Kroacisë (FFK). UEFA ndëshkimin për incidentet në stadiumin në Saint Etienne do ta vendosë të hënën.

Shpërndaje në: