Premtimet e Xhavit Halitit, njeriu që NATO e konsideron “person me rëndësi të veçantë”
Xhavit Haliti është një nga themeluesit e UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, me rol të rëndësishëm në kontaktet e para diplomatike të luftës me përfaqësues të Evropës dhe SHBA-së.
Ky angazhim strategjik ka mbetur për vite jashtë vëmendjes publike, si nga vetë Haliti, ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtarë.
Rëndësia e tij u konfirmua edhe në procesin gjyqsor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, kur John Duncan, ish-këshilltari i ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, e cilësoi Halitin si person me rëndësi të veçantë për NATO-n, duke kërkuar që çdo diskutim për të të zhvillohej në seancë të mbyllur.
“Bashkëpunimi i UÇK-së me aleatët ndërkombëtarë dhe NATO-n ishte jetik për lirinë e Kosovës. Këtë mision do ta vazhdoj deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në Facebook.
Pas luftës, Haliti ka shërbyer si deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, si dhe ka përfaqësuar Kuvendin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke ndërtuar ura të drejtpërdrejta me aleatët strategjikë të Kosovës.
Xhavit Haliti mban numrin 14 në listën e PDK-së për deputet të Kosovës.



