Presidenti u premton mbështetje fituesve të medaljeve në Lojërat Olimpike Speciale
“Kam qenë i bindur në fitoren tuaj. Ne jemi shumë krenarë me ju, sepse fitoret tuaja nderojnë edhe shtetin e Kosovës”, është shprehur presidenti Thaçi.
Nga ‘Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017’, dy atletët tanë u kthyen në Kosovë me tri medalje, një medalje të artë dhe dy medalje të argjendta.
Atleti i Olimpiadës Speciale të Kosovës, Kushtrim Veseli, fitoi dy medalje në dy kategori. Në kategorinë e skijimit “Alpine Novice Giant Slalom”, ai fitoi vendin e parë dhe u dekorua me Medaljen e Artë, kurse në kategorinë “Alpine Novice Slalom”, fitoi vendin e dytë dhe u dekorua me Medaljen e Argjendtë.
Ndërkaq, atletja Medina Surdulli fitoi vendin e dytë në kategorinë “Alpine Novice Giant Slalom” dhe u dekorua me Medaljen e Argjendtë.
Presidenti Thaçi u premtoi mbështetje për pjesëmarrje edhe në olimpiada të tjera dhe i inkurajoi që të punojnë dhe të përgatiten për sukseset e radhës.
Në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore morën pjesë atletë nga rreth 150 shtete të botës. /KP/ /Periskopi/



