Presidentja në Panama? Shumë mirë – por, pse

Presidentja në Panama? Shumë mirë – por, pse

Prej sot e tutje, vizitat e udhëheqësve tonë shtetërorë do të dallojnë tërësisht mes vete. Ato të Kryeministrit do të jenë kritike. Këto të Presidentes do të jenë pothuajse turistike. Çdo ditë e më shumë, për Kurtin, udhëtimet do të jenë traumatike. Për Osmanin do të jenë argëtuese. S’është dallim i vogël ky.

Koment i Periskopit

Kryeministri Kurti ka arsye të fortë të jetë sot në Berlin. Këto ditë është kah e kupton përfundimisht se Dialogu ishte dhe mbetet prioriteti i tij i parë – as i katërti e as i shtati. Në këtë, të gjithë ne duhet të kemi mirëkuptim për takime të këtilla, andaj nuk ka vend për cikërrimtari administrative – se sa kushtoi bileta, sa kushtoi hoteli dhe a pati arsye për udhëtim.

Në anën tjetër, Presidentja Osmani sot u nis për Panama, në Amerikë Latine (ose të Mesme, për detajista). Arsye qenka përurimi i një busti të Nënës Terezë dhe pjesëmarrja e përbashkët me ministren e jashtme të Panamasë ‘në një Forum’.

A është arsye kjo? Të udhëtohet në skaj të dynjasë për një përurim dhe pjesëmarrje ‘në një forum’? Këtu duket e udhës të shtrohen pyetjet si ‘sa kushtoi bileta e sa kushtoi hoteli?’

Vizita e Osmanit në Panama përbën definicion të pastër të bjerrakohësisë diplomatike. Patjetër, Panamaja është vend i rëndësishëm, por jo edhe aq për ne. Është nyje me rëndësi tregtare dhe financiare për atë pjesë të botës, por jo edhe për ne. Shkurt, mirëmbajtja e marrëdhënieve me shtete si Panamaja duhet të shihet e dobishme – por jo edhe e kushtueshme, sidomos në kushtet e krizës së madhe ekonomike, financiare e buxhetore, për të cilën po thonë të jetë më e rënda që nga paslufta e dytë botërore.

Prej sot e tutje, vizitat e udhëheqësve tonë shtetërorë do të dallojnë tërësisht mes vete. Ato të Kryeministrit do të jenë kritike. Këto të Presidentes do të jenë pothuaj turistike. Çdo ditë e më shumë, për Kurtin, udhëtimet do të jenë traumatike. Për Osmanin do të jenë argëtuese. S’është dallim i vogël ky.

Kurtin do ta ftojnë gjithnjë e më shpesh, mirëpo dëshirë për këtë do të ketë gjithnjë e më pak. Osmanin do ta ftojnë gjithnjë e më rrallë, mirëpo dëshirë do të ketë shumëfishë më shumë. Madje aq shumë, sa që me vrap do t’i ngjitet shkallëve të aeroplanit veç për ndonjë pjesëmarrje ‘në një forum’ në Panama.

Prioritetet e Kurtit dhe Osmanit po qartësohen ashtu siç edhe duhet – dhe, ashtu siç e kanë kërkuar vet. I pari do të merr përgjegjësi më shumë seç mund t’i bartë; e dyta do të përpiqet t’i zvogëlojë edhe ato pak përgjegjësi që ka.

Sa më shumë që merret vesh se nuk ka shpëtim prej Dialogut dhe Marrëveshjes, aq më shumë do të theksohen këto dallime. Andaj, një ndër mënyrat se si Osmani ia dëfton Kurtit vetminë me të cilën do të përballet në këtë proces është edhe kjo. Sasia e udhëtimeve, e deklarimeve dhe postimeve do të jetë e njëjtë, por jo edhe përgjegjësia.

Mirëpo, këtë nuk e heton edhe qytetari i rëndomtë – e i cili rëndësinë e kupton vetëm përmes sasisë. Kësisoj, në sytë e tij, ‘binomi Kurti-Osmani’ është barabarësisht i angazhuar ‘që ta çojnë Kosovën përpara’.

Megjithatë, e vërteta del të jetë se njëri do ta ketë përgjegjësinë totale, e tjetri atë minimale.

Për më tepër, në javët dhe muajt e ardhshëm, duhet të presim që Osmani të zhvillojë edhe diskurs të kundërt me Kurtin rreth Dialogut.

Përgjegjësitë minimale do të reflektojnë edhe përkrahje minimale. Çdo ditë e më pak, Osmani do të flet për Dialog, për Asociacion, për pronat e Manastirit të Deçanit apo për shkeljet kushtetuese të ministres së arsimit. Çdo ditë e më shumë, qytetari do ta sheh Presidenten Osmani teksa merr pjesë ‘në një forum’ nëpër Panama, Kostarikë, Abu Dhabi apo Lichtenstein. A thua është parë kësisoj ndarja e punëve dhe e përgjegjësive të liderëve karizmatikë të ‘VV-Lista GUXO’, më 14 shkurt?

Sonte, Kurti është në Berlin Aleksanderplatz, në darkë me Vuçiqin. Ndërkohë, Presidentja Osmani do të aterojë në Panama City, për një përurim dhe një forum. Jetë, o jetë…

Shpërndaje në: