Presion i paparë mbi Gjykatën e Apelit për të mbështetur vendimin e ZRrE’së kundër 1300 bizneseve

Presion i paparë mbi Gjykatën e Apelit për të mbështetur vendimin e ZRrE’së kundër 1300 bizneseve

Janë bërë më shumë se një javë që kur Gjykata Komerciale kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka të bëjë me daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike. Në njoftimin e Gjykatës, thuhej se vendimi i ZRRE-së për të nxjerrë të gjithë konsumatorët në treg të lirë, të bazuar në një interpretim të gabuar të dispozitave ligjore, përbën shkelje të rëndë të ligjit.

Pas këtij vendimi të Gjykatës, ZRRE së fundmi u ankua në Shkallën e Dytë për aktgjykimin e Gjykatës Komerciale dhe kjo ankesë e tyre – duket se do të marrë epilog të shpejt – qysh në këtë vikend.

Burime të Periskopit bëjnë me dije se teksa Apeli po e shqyrton ankesën e ZRrE-së, njëkohëshit është duke u ushtruar një presion i madh ndaj tyre për t’u aprovuar ankesa e ZRRE-së, lidhur me vendimin për daljen në “treg të lirë” të energjisë elektrike, e kësisoj, siç e quajnë rreth njëmijë e treqind biznese – dalje e dhunshme –  ku do të përballen me çmime tre-katërfish më të shtrenjta në emër të liberalizimit të tregut.

Sipas të njëjtit burim, në këtë vikend pritet që të jepet edhe verdikti, nëse kjo Gjykatë do të rrëzojë masën pezulluese të Komerciales, apo do ta konfirmojë atë.

Në rast të aprovimit të ankesës së ZRrE-së – që masa pezulluese të refuzohej – bizneset e Kosovës do të ballafaqoheshin me vështirësi të mëdha.

Refuzimi i masës pezulluese do t’i vendoste këto biznese në pozitë të pabarabartë në raport me konsumatorë më të mëdhenj, duke cenuar konkurrencën. Madje, disa prej tyre mund t`i shtyjë drejt falimentimit

Vendimi i ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor. Ky vendim kishte paraparë që kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit janë të detyruara që të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga data 1 qershor.

Megjithatë, kompanive që nuk kishin arritur të lidhin kontrata me një furnizues u kishte dhënë edhe një mundësi që me energji të furnizoheshin KEK-u.

Kjo mundësi parashihej të shfrytëzohej vetëm për një periudhë 60-ditore – deri më 31 korrik.

Shpërndaje në: