Prishja e raporteve Kosovë – ShBA, PDK: Thaçi nga malet e Pashtrikut bënte aleanca, Kurti shkatërro nga zyra

Prishja e raporteve Kosovë – ShBA, PDK: Thaçi nga malet e Pashtrikut bënte aleanca, Kurti shkatërro nga zyra

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me pezullimin e Kosovës nga dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë zhvillim si rezultat të qasjes së gabuar të Qeverisë Kurti.

Në një konferencë për media, ku foli edhe për dinamikën e fushatës zgjedhore të PDK-së, Çitaku tha se është e papranueshme që, 26 vite pas luftës, Kosova të gjendet në një marrëdhënie të tillë me aleatët perëndimorë.

“Është e paimagjinueshme që 26 vite pas luftës, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, Kosova të jetë e ndëshkuar, e penalizuar nga aleatët e saj. E tërë kjo për shkak të qasjes së papërgjegjshme dhe avantureske të Albin Kurtit”, u shpreh ajo.

Çitaku vuri në dukje kontrastin mes rolit të ish-presidentit Hashim Thaçi në forcimin e lidhjeve me Perëndimin dhe situatës aktuale nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti.

“Hashim Thaçi nga malet e Pashtrikut ka lidhur aleancë me NATO-n, e tani nga burgu i Hagës e solli Amerikën në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa Albin Kurti, nga komoditeti i zyrës së kryeministrit, ka arritur të rrënojë aleanca të shumta që janë ndërtuar me shumë mund, gjak dhe sakrificë”, tha Çitaku.

Ajo paralajmëroi se izolimi diplomatik dhe pezullimi i partneritetit strategjik me SHBA-në përbëjnë një alarm serioz për të ardhmen e Kosovës dhe janë pasojë direkte e sjelljes së qeverisë aktuale./Periskopi/

Shpërndaje në: