Prishtina kërkon tokë
Bardhekaltrit besojnë se ky ligj do t’i ngre në nivel të klubeve të mëdha evropiane. Prishtinasit po planifikojnë të bëjnë buxhet milionësh për të qenë konkurrues të fortë nëpër gara ndërkombëtare. Ndërkohë, shumë shpejt do ta kërkojnë nga Komuna e Prishtinës një parcelë të tokës, në të cilën planifikojnë ta ndërtojnë një palestër të tyre, përmes donatorëve, që u ka hapur rrugë Ligji për Sponzorizime, shkruan sot, gazeta Zeri.
Sigal Prishtina po vazhdon ta festojë Ligjin për Sponsorizime, i cili para pak ditësh u miratua në Kuvendin e Kosovës. Klubi më i trofeshëm kosovar konsideron se ky ligj i ka hapur rrugë që ta arrijë së paku nivelin e skuadrave mesatare të “FIBA Europe Cup”, në të cilën garë prishtinasit kanë marrë pjesë në dy edicionet e fundit, por ishte larg konkurrimit të denjë. “Mund të them se klubi ynë është më i varfëri në ‘FIBA Europe Cup’. Ne kemi një buxhet prej 400 mijë eurosh, kurse kemi luajtur kundër klubeve që kanë buxhet prej 7 apo 8 milionë eurosh”, ka deklaruar drejtori gjeneral i Sigal Prishtinës, Florian Miftari. “Ligji për Sponsorizime është i mirëseardhur dhe mjaft shpresëdhënës jo vetëm për Sigal Prishtinën, por për gjithë sportin kosovar. Ne besojmë se ky ligj do ta mundësojë avancimin tonë, sepse sponsorët tanë do të lirohen nga tatimet shtetërore prej 30 për qind të tatimit në fitim”, ka theksuar ai.
Sipas Miftarit, me kalimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, Sigal Prishtina menjëherë ka nisur planet e rritjes. Ndërsa, implementimin e planeve klubi bardh e kaltër do ta nisë posa të hyjë në fuqi ky plan. “Nga edicioni i ardhshëm planifikojmë të jemi shumë më të fortë jo vetëm në ‘FIBA Europe Cup’, por edhe në ‘Champions League’. Në ‘FIBA Europe Cup’ më nuk do të shkojmë veç për pjesëmarrje, por mund të them se do ta kërkojmë edhe kualifikimin në ‘Final Four’. Mos të harrojmë se nuk ka qenë e lehtë për ne që rrethanat aktuale të grindemi dhe të garojmë në tri gara. 24 mijë euro na ka kushtuar vetëm udhëtimi për në Rusi, e lëre më shpenzimet tjera”, vazhdoi Miftari.
Sipas tij, Ligji për Sponzorizime jo vetëm që garanton rritjen e buxhetit të Sigal Prishtinës, por edhe bërjen e saj me një palestër të vetën. “Jemi klubi më i suksesshëm i Kosovës, jemi munduar ta promovojmë sa më mirë Kosovën. Dhe si i tillë, klubi ynë e meriton ta ketë një palestër të vetën”, tha ai. “Mund t’ju konfirmoj se planifikojmë ndërtimin e një palestre të re me standarde ndërkombëtare. Atë planifikojmë ta ndërtojmë përmes donatorëve, sponsorëve, sepse këtë na e mundëson Ligji për Sponsorizime. Por na nevojitet një parcelë e tokës. Ne do t’i drejtohemi Komunës së Prishtinës, prej së cilës do të kërkojmë të na ndahet toka. Ne shpresojmë që kërkesa jonë të aprovohet, sepse Sigal Prishtina është krenaria e kryeqytetit dhe Komuna duhet t’ia japë mbështetjen meritore”, tha ish-basketbollisti i famshëm prishtinas.
Ai ka shprehur mirënjohje për Ministrinë e Sportit dhe Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për rinovimin e sallës së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. “Jemi shumë të gëzuar që më në fund palestra është rinovuar. Përkundër improvizimeve, salla tashmë është e rregulluar si asnjëherë më parë. Sigal Prishtina ka bërë kërkesa të vazhdueshme për rregullimin e sallës, prej së cilës tash e tutje do të përfitojnë edhe sportet tjera dhe kjo na bënë të ndihemi krenarë”, nënvizoi ai.
“Prishtina meriton një sallë moderne me interes edhe nacional. Përfaqësuesja kosovare debutoi në arenën ndërkombëtare, por fatkeqësisht jo në Prishtinë shkaku i infrastrukturës dhe kjo nuk është aspak e mirë”, tha ai.
Krejt këto komente Miftari i bëri gjatë prezantimit të tre basketbollistëve të mëdhenj, të porsaardhur në kryeqytet, amerikanit Grant Johnson, kroatit Nenad Delic dhe yllit kosovar, Urim Zenelaj. Miftari tha se trajneri italian, Marco Calvani, mund të zyrtarizohet në ditët apo javët e ardhshme. Me italianin paralajmëroi kontratë dy vjeçare. Kontrata dy vjeçare tha se do të nënshkruhen edhe me basketbollistët kosovarë, apo që kanë shtetësi kosovare. Kurse, me lojtarët e huaj do të nënshkruhen kontrata njëvjeçare. Ai theksoi se Sigal Prishtina është e interesuar të mos bëjë ndryshime të shpeshta si në ekipin e lojtarëve, ashtu edhe në shtabin teknik.



