Procesi drejt fundit: Rinumërohen gati 74 % e vendvotimeve

Procesi drejt fundit: Rinumërohen gati 74 % e vendvotimeve

Procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është drejt përfundimit.

Sipas përditësimit më të fundit të KQZ-së, deri në mëngjesin e së martës janë rinumëruar 1,887 vendvotime, që përbëjnë 73,80% të totalit prej 2,557 vendvotimeve të parashikuara për rinumërim.

Ky proces, i cili ka nisur më 13 janar 2026, ka përfunduar tashmë në 25 komuna.

Nga KQZ është bërë e ditur se puna po vazhdon me kapacitete të plota, me qëllim të përmbylljes sa më të shpejtë të rinumërimit të vendvotimeve të mbetura.

Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve.

Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.

Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore e Prizrenit zhvilloi një aksion të premten, që përfundoi me arrestimin e 109 personave.

 

Shpërndaje në: