Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të LDK-së kundër tij për grantet, e quan “mijush” Paris Gurin
Ish-ministri i Bujqësisë dhe aktualisht kryetar i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pasi Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) lidhur me shpërndarjen e granteve në bujqësi.
Peci deklaroi se ky vendim konfirmon pafajësinë e tij dhe theksoi se gjatë ushtrimit të detyrës si ministër nuk ka ndërhyrë asnjëherë në proceset e ndarjes së subvencioneve apo granteve.
Ai e përshkroi situatën si të rëndë për të dhe familjen e tij, por shtoi se gjithmonë ka pasur besim në drejtësi dhe integritetin e tij personal.
“Drejtësia foli qartë”, u shpreh ai, duke theksuar se në asnjë rrethanë nuk ka kontaktuar apo udhëzuar askënd për përfitim të padrejtë nga fondet publike në bujqësi.
Peci gjithashtu akuzoi drejtues të LDK-së për kallëzim të rremë penal, duke përmendur me emër Lumir Abdixhiku dhe Hykmete Bajrami si iniciatorë të rastit.
Ai paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj tyre, si dhe ndaj Paris Guri, të cilin e quajti “mijush”, duke e akuzuar për shpifje dhe propagandë.
Sipas tij, gjatë mandatit në Ministrinë e Bujqësisë janë shpërndarë rreth 360 milionë euro për mbi 130 mijë fermerë përfitues dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje ligjore në këtë proces.
Në fund, Peci falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe për, siç tha ai, mosrënien pre e “manipulimeve politike”, duke shtuar se periudha e tij në krye të bujqësisë ka qenë ndër më të suksesshmet në dekadat e fundit.
Postimi i plotë i Pecit:
DREJTESIA FOLI QARTË:
Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal të LDK-së kundër meje për grantet në bujqësi
Gjatë kohës sa isha ministër i bujqësisë, ky institucion u reformua rrënjësisht; ishte periudha kur fermerët, për herë të parë.
•Nuk dhanë më haraç për të përfituar grant.
•360 milionë euro të ndara për 130 mijë fermerë përfitues; nuk kishte asnjë rast të faktuar që dikush përfitoi jashtë kritereve të përcaktuara me ligj.
Nga 130 mijë fermerët përfitues u “gjurmua” dhe u “zbulua” se njëri ishte vëllai i një deputeteje, por nuk u gjet asnjë dëshmi e ndikimit tim, per faktin e thjesht sepse nuk egzistonte.
Ndërkohë, gjatë intervistimit tim në prokurori, “mijushi” i LDK-së, Guri, kishte deklaruar se mezi pret të shihemi në gjykatë. Po, në gjykatë do të shihemi, sepse nga sot fillon përgatitja e kallëzimit penal për kallëzim të rremë penal, të ideuar nga Lumir Abdixhiku, të nënshkruar nga Hykmete Bajrami dhe propaganduar me shpifje e paturpësi nga “tellalli” i tyre, Guri.
Të tre do të kenë kallëzim penal për kallëzim të rremë, i cili nxiti një terror medial kundër meje, për më shumë se dy vite.
Kjo situatë ka qenë e vështirë për mua dhe familjen time, por gjithmonë kam qenë i bindur në drejtësinë dhe integritetin tim.
Prandaj, një gjë është e sigurt: në asnjë rast, asnjëherë, ne asnje rrethane nuk kam kontaktuar askënd, udhëzuar ose rekomanduar as për subvencione, as për grante, as për ndonjë shpallje, kontratë apo tender, tek grupet profesionale, në këtë proces.
Jam krenar që ky institucion do të ketë sukses edhe pas përfundimit të mandatit tim, nga punët e mira që lamë pas!
Kushdo që ka objektiv dëmtimin e imazhit tim, le ta vazhdojë gjurmimin, por një gjë është e sigurt që qeverisja ime si ministër i bujqësisë shënon periudhën më të ndritur të lulëzimit në bujqësi, për një çerek shekulli.
Falënderoj të gjithë qytetarët që nuk u manipuluan nga kjo lojë e ulët.



