Protesta “Drejtësi për Çlirimtarët”: Ali Ahmeti arrin në Shqipëri, pritet nga presidenti Begaj

Protesta “Drejtësi për Çlirimtarët”: Ali Ahmeti arrin në Shqipëri, pritet nga presidenti Begaj

Para fillimit të protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët” në Tiranë, Ali Ahmeti zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj.

“Bashkëbisedimi ynë u përqendrua në zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike, si dhe në rolet e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërfqinjor,” tha Ahmeti.

Ai përgëzoi Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian dhe theksoi se “është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces.”

“Rruga drejt Brukselit është rrugëtim strategjik kombëtar, që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane,” shtoi Ahmeti.

Në takim u diskutua edhe “rëndësia e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku, të cilët në Evropën e bashkuar duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt.”

Shpërndaje në: