Protesta e transportuesve bllokoi pikat kufitare, OEK thirrje BE-së: Pasojat janë serioze për bizneset kosovare, ndërhyni urgjentisht
Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Europian, si reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve.
Ndërsa bllokada u paralajmërua se do të zgjasë shtatë ditë, Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar për pasojat që pritet t’i ndjejë vendi nga këto protesta.
“OEK shpreh shqetësimin e saj lidhur me protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit, të cilat tashmë po shkaktojnë pasoja serioze për funksionimin normal të bizneseve kosovare dhe për rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare”, thuhet në një reagim të OEK.
Oda Ekonomike e Kosovës thotë se “këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian, duke krijuar vonesa të konsiderueshme, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit”.
“Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, njëkohësisht Kryesues i Bordit të WB6 CIF, ka adresuar këtë problem në mënyrë të vazhdueshme në komunikimet me institucionet e Bashkimit Evropian, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe sistemike, në interes të funksionimit të lirë të tregtisë dhe ruajtjes së zinxhirëve të furnizimit midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Europian për “ndërhyrje urgjente institucionale që do të mundësonte funksionimin normal të transportit ndërkombëtar rrugor deri në krijimin e një zgjidhjeje të përhershme”.
“Një qasje e tillë është në interes të përbashkët të ekonomive të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor dhe përbën një parakusht për stabilitet ekonomik, integrim tregtar dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal.Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e angazhuar për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe për të kontribuar në dialogun institucional me partnerët evropianë, në funksion të garantimit të një tregtie të lirë, të sigurt dhe funksionale”, thuhet në reagim.
Alarmon AKB: Mbi 1 miliard dollarë humbje në ditë nga bllokada në kufijt e Ballkanit Perëndimor



