Pse Era Istrefi është shumë e mirë, por është shumë pise
Ajo ka bërë revolucion me tekstet e saj. Nëse dikur Nexhmije Pagarusha ‘dehej’ për dashurinë që e ka lënë, Era ‘dehet’ në kërkim të dikujt që nuk beson, bile, as që ekziston dashuria. Nëse jemi mësuar të dëgjojmë zë femrash duke kënduar tekste të tilla si për shembull ‘Veç një herë me ta prekë dorën…”, Era i flet një djali kështu: “Krejt po më vesin kush o qai, i foli me dorë të majtë, edhe HAJT”.
Era Istrefi, e lindur në Prishtinë në vitin 1994, u bë e njohur në vitin 2013 me këngën e saj ‘Mani për Money’. Kënga e parë e saj kishte marrë kritika mjaft pozitive. Më vonë Era, do të debutonte me hitet “E dehun’, ‘A po don’.
Hit u bë edhe kënga e saj në bashkëpunim me Ledri Vulën ‘Shumë pis’. Më vonë, ajo do të ‘shpërthente’ në skenën ndërkombëtare me këngën ‘Bonbon’ pas të cilës, u krahasua me këngëtare si Rihanna, Sia. Era në shkurt të vitit 2016, lidh kontratë me njërën nga shtëpitë më të mëdha diskografike amerikane, Sony Music Entertainment dhe Ultra Music.
Pse Era është shumë e mirë, por është shumë pise?
Sepse ajo ka revolucionarizuar pozitën e femrës shqiptare në tekstet e këngëve të saj. Nexhmije Pagarusha dikur këndonte se ‘është e dehun dhe këmbët se mbajnë dhe po e mundon fort një dashuni’ (kënga E dehun), por Era në tekstin e saj të ‘urbanizimit’ të këngës ‘E dehun’, thotë se ‘e do dikë që nuk beson se dashnia ekziston’.
Nexhmije Pagarusha në këngën ‘E dehun’ konsumon vetëm raki e venë, kurse Era urbanizon dehjen në edhe me birrë e tekilla.
“Unë pe du dikon, që nuk beson se dashnia ekziston…
…Bon do tekilla edhe birra për me hekë do t’keq
Edhe pak Bob Marley bon…”
‘Unë jam Era edhe koha jeme o tu ardhë…’
Në këngën që ia dha suksesin më të madh deri tani ndërkombëtar Bon Bon, Era sërish shfaqet një vajzë e llastuar, që nuk ‘i jep pesë pare’ për asgjë.
“Unë jam Era edhe koha jeme o tu ardhë…
Nëse jo ti, e du unë veten…
Hajde merrem ikim, nëse e don çikën, king je deri ta qes pikën..”
Dhe nëse deri te Era, ishim mësuar që femrat t’i shihnim të portretizuara keq e më keq (sidomos në muzikën rep), ajo e ndryshon këtë gjendje. Nëse në këngët e zakonshme jemi mësuar të dëgjojmë tekste përafërsisht si kështu: “Veç një herë me ta prekë dorën…”, Era, i folë një djali me ‘dorë të majtë, edhe HAJT’.
“Krejt po më vesin kush o qai, i foli me dorë të majtë edhe haajt” (Kënga: Shumë pis).



