Pse u ndryshua vendimi që kufizon kryerjen e procedurave të botoksit dhe fillerave nga persona joprofesionistë? Shoqatat profesionale i reagojnë Ministrisë së Shëndetësisë
Shoqata e Kirurgëve Plastikë të Kosovës, Shoqata e Dermatologëve të Kosovës dhe Shoqata e Kirurgëve Maksilofacialë të Kosovës, dhe të gjithë anëtarët e tyre, kanë reaguar pas ndryshimit të menjëhershëm të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë që përcakton profesionistët e lejuar për të kryer procedura estetike invazive (përfshirë aplikimet me toksinë botulinike dhe fillerë dermalë.
Sipas këtyre shoqatave, Ministria e Shëndetësisë sipas një njoftimi fillestar, këto procedura u kishte kufizuar me të drejtë vetëm për profesionistët e kualifikuar si:
– Kirurgët plastikë
– Dermatologët
– Kirurgët maksilofacialë
– Otorinolaringologët (ORL)
Mirëpo, sipas këtyre profesionistëve shëndetësor brenda një periudhe shumë të shkurtër — më pak se një orë pas publikimit — vendimi u ndryshua pa asnjë sqarim zyrtar, duke krijuar pasiguri ligjore, profesionale dhe rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
“Ky veprim është thellësisht shqetësues, pasi në klinikat tona po shtohen rastet e komplikimeve serioze si pasoja të aplikimeve të kryera nga persona pa përgatitje mjekësore dhe pa licencë profesionale”, thuhet mes tjerash në reagim.
Në emër të tri shoqatave profesionale dhe të gjithë anëtarëve të tyre, kërkojnë me urgjencë që: Të sqarohen menjëherë arsyet e tërheqjes ose ndryshimit të vendimit fillestar, të pezullohet zbatimi i vendimit të ndryshuar, derisa të bëhet një rishqyrtim i bazuar në ekspertizë mjekësore, të përfshihen përfaqësues të Shoqatës së Kirurgëve Plastikë, të Dermatologëve dhe të Kirurgëve Maksilofacialë në grupet punuese të Ministrisë së Shëndetësisë për hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve që lidhen me procedurat estetike invazive.
Sipas drejtuesvë të Shoqatave profesionale, këto kërkesa janë të domosdoshme për të parandaluar komplikimet e rënda dhe për të mbrojtur sigurinë e pacientëve, që duhet të jetë prioritet i çdo vendimi institucional.
“Në pritje të një reagimi urgjent dhe transparent nga Ministria e Shëndetësisë, mbetemi të gatshëm të kontribuojmë në mënyrë profesionale dhe bashkëpunuese për zgjidhjen e kësaj çështjeje madhore”, përfundon reagimi i tri Shoqatave profesionale të nënshkruara nga:
Dr. Ylber Zejnullahu – Kryetar, Shoqata e Kirurgëve Plastikë, Rekonstruktivë dhe Estetikë
Dr. Ilir Besimi – Kryetar, Shoqata e Dermatologëve të Kosovës
Dr. Mergime Prekazi – Kryetare, Shoqata e Kirurgëve Maksilofacialë
Dr. Dukagjin Spanca – Kryetar, Shoqata e Otorinolaringologëve të Kosovës.



