PSG i bën kërkesë Mbappes
Sulmuesi i Real Madrid, Kylian Mbappe, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për paraqitjet në fushë, por për çështjen financiare me ish-klubin e tij, Paris Saint-Germain.
Pas largimit si lojtar i lirë në verën e vitit 2024, mes palëve shpërtheu një mosmarrëveshje për paga dhe bonuse të papaguara. Gjykata e punës vendosi në favor të sulmuesit francez, duke detyruar PSG-në të shlyejë detyrimet financiare.
Sipas raportimeve të L’Équipe, pjesa më e madhe e shumës, rreth 55 milionë euro, ishte paguar më herët. Ajo që mbeti ishte një shumë prej afro 6 milionë eurosh, që përfshin pushime të paguara dhe interesa. PSG ka shlyer katër milionë euro nga kjo shumë, por ende ekziston një mosmarrëveshje për diferencën e mbetur, që sipas klubit lidhet me kontributet shoqërore – version që kundërshtohet nga burime pranë lojtarit.
Një tjetër pikë delikate është urdhri që PSG të publikojë vendimin e plotë të gjykatës për një muaj në faqen zyrtare të klubit. Parisi dëshiron që Mbappé të heqë dorë nga kjo masë, ndërsa bisedimet mes palëve vazhdojnë.
Edhe pse çështja po shkon drejt mbylljes, tensioni mes Mbappé dhe PSG-së mbetet i dukshëm, me reputacionin dhe imazhin publik që janë po aq në lojë sa edhe shifrat financiare.



