Psikologët zbulojnë: Këto pyetje e bëjnë takimin e parë të paharrueshëm
Nga pyetjet e lehta te ato më të thella – si të krijoni lidhje që në bisedën e parë
Në takimin e parë me një simpati, ndoshta edhe partner potencial, pyetjet e duhura mund të ndihmojnë për të “thyer akullin”, për të nisur bisedën dhe për të hapur rrugën e njohjes me një person të ri. Pyetjet më të mira janë ato të hapura, të cilat e nxisin bashkëbiseduesin të ndajë më shumë sesa një përgjigje të thjeshtë “po” ose “jo”. Për takimin e parë, thonë psikologët, kjo është më e rëndësishmja.
Si të bëni zgjedhjen e duhur të pyetjeve për takimin e parë
Zgjedhja racionale e pyetjeve për takimin e parë ju ndihmon shumë për ta njohur më mirë personalitetin e personit tjetër, vlerat e tij, interesat… Po ashtu, ndihmon që biseda të rrjedhë më natyrshëm dhe lë një përshtypje të parë shumë të mirë. Pavarësisht dallimeve në karakter dhe tipeve të personalitetit, këto këshilla të psikologëve do t’ju jenë të çmuara për të “thyer akullin”, transmeton Telegrafi.
Pyetje argëtuese dhe të lehta
• Cili është ushqimi yt i preferuar?
• Si duket fundjava jote ideale?
• Cila është gjëja më argëtuese që ke bërë së fundmi?
• Cila është mënyra jote e preferuar për t’u çlodhur pas një dite të gjatë?
• Cila është figura jote e famshme e preferuar?
• Cila ishte puna jote e ëndrrave kur ishe fëmijë?
• Çfarë muzike dëgjon?
• Cili është libri/filmi/seriali/podkasti yt i preferuar?
• Preferon më shumë të jesh jashtë apo brenda?
• Cili është udhëtimi më i bukur që ke bërë ndonjëherë?
• Cila është ëndrra më e çuditshme që ke parë ndonjëherë?
• Cila është një gjë pa të cilën nuk del kurrë nga shtëpia?
• Cili është vendi yt i preferuar në botë?
• Cila është nofka më e sikletshme që ke pasur ndonjëherë?
• Cila është aventura më e madhe që do të doje ta përjetoje?
• Cila është gjëja më qesharake që të ka ndodhur gjatë pushimeve?
• Cili është talenti yt i fshehtë?
• Cili është kombinimi më i pazakontë i ushqimeve që ke provuar dhe që ka dalë çuditërisht i shijshëm?
• A ke një fjalë të preferuar?
• Cili është fakti më i pabesueshëm që di dhe që gjithmonë i mahnit njerëzit?
Pyetje që flasin për tiparet, vlerat dhe personalitetin
• Cila është cilësia jote më e mirë?
• Cila është dobësia jote më e madhe?
• Çfarë do të thotë për ty “shtëpia”?
• Cili është kujtimi yt i preferuar nga fëmijëria?
• Kush janë modelet e tua?
• Si është marrëdhënia jote me familjen?
• Si e përfytyron lumturinë?
• Ku e sheh veten pas pesë vitesh?
• Për cilin qëllim po punon aktualisht?
• Cila është sfida më e madhe me të cilën po përballesh tani?
• Si e imagjinon pensionin?
• Cilën aftësi ose cilësi do të doje ta zhvilloje te vetja?
• A ke përjetuar ndonjëherë një moment që ta ka ndryshuar këndvështrimin ndaj jetës?
• Çfarë e konsideron arritjen tënde më të madhe deri tani?
• Cila është gjëja më e vështirë që ke kaluar ndonjëherë?
• Si përballesh me stresin ose trishtimin?
• Për çfarë je më mirënjohës/e?
• Cila është këshilla më e mirë që ke marrë ndonjëherë?
• Cili është zakoni yt më i keq?
• Nëse do të mund të ndryshoje një gjë te vetja, cila do të ishte?
Vendosja e pyetjeve të tilla mund t’ju ndihmojë të njiheni më mirë dhe të nxisë ndjenjën e afërsisë. Si studimet ashtu edhe jeta reale tregojnë se njerëzit ndihen më të lidhur kur zhvillojnë biseda më të thella, krahasuar me tema sipërfaqësore dhe boshe që vetëm “vrasin” kohën.
Pyetje që e vazhdojnë bisedën nëse diçka “ngec”
Nëse biseda ngec, mund të bëni një pyetje hipotetike për ta vënë sërish në lëvizje dhe për ta angazhuar bashkëbiseduesin. Ja disa pyetje që mund ta mbushin heshtjen e sikletshme:
• Nëse do të kishe ndonjë superfuqi, cilën do të zgjidhje?
• Nëse do të mund të udhëtoje menjëherë kudo në botë, ku do të shkoje?
• Nëse do të mund të ndërroje vend me dikë për një ditë, kush do të ishte ai/ajo?
• Nëse do të kishe tri dëshira, çfarë do të dëshiroje?
• Nëse do të mund të ishe i pranishëm në ndonjë ngjarje historike, cilën do të zgjidhje?
• Nëse do të mund të darkoje me këdo (të gjallë apo të vdekur), kë do të zgjidhje?
• Nëse do të mund të shpikje diçka tani, çfarë do të ishte?
• Nëse do të mund të miqësoheshe me ndonjë kafshë, cila do të ishte?
• Cili film e përfaqëson më së miri jetën tënde?
• Cilën aktore ose cilin aktor do të zgjidhje që të të luante në një komedi situatash për jetën tënde?
Hulumtimet kanë treguar se, edhe pse pauzat e gjata në bisedë janë të pakëndshme për persona që nuk njihen mirë, ato nuk janë pengesë që biseda të zhvillohet në drejtim të mirë në të ardhmen. Pyetjet e duhura edhe në këtë pjesë të takimit të parë mund të ndihmojnë për të kapërcyer sikletin fillestar dhe që këto momente më vonë të shndërrohen në çaste natyrale reflektimi të përbashkët.
Pyetje të tjera të dobishme
Sigurisht, ka shumë pyetje të tjera që mund të bëni. Disa do të lindin spontanisht gjatë bisedës. Në raste të tjera, mund të dëshironi të bëni pyetje që lidhen me gjëra të rëndësishme për ju në aspektin e përputhshmërisë. E rëndësishme është vlerësimi i duhur se sa mirë e njihni partnerin potencial, në mënyrë që të mos tejkaloni kufijtë e privatësisë. Nëse vlerësimi është i favorshëm për një bisedë edhe më të thellë, ja disa pyetje të tjera:
• Çfarë vlerëson më shumë në miqësi ose në një lidhje?
• A ka tema ose çështje që janë veçanërisht të rëndësishme për ty?
• Çfarë kërkon në një lidhje? Diçka pa angazhim? Serioze? Afatgjatë?
• Preferon më shumë ta telefonosh partnerin apo t’i dërgosh mesazhe?
• Si e ruan balancën mes punës dhe jetës private?
• Çfarë të pëlqen të bësh kur dëshiron të çlodhesh?
Këshilla për një takim të parë sa më të suksesshëm
Dalja në një takim të parë mund të jetë njëkohësisht emocionuese dhe stresuese. Nëse ndiheni kështu, nuk jeni të vetëm.
“Është krejtësisht normale të jeni nervozë para takimit të parë”, thotë Sabrina Romanoff, psikologe klinike e specializuar në marrëdhënie.
Dr. Romanoff ndan edhe disa këshilla të tjera që mund t’ju ndihmojnë në përgatitje:
• Mbani një listë të vogël temash të mundshme për bisedë: Nëse nervozoheni lehtë, një përkujtues në telefon mund të jetë i dobishëm, ndërsa vetë fakti që e keni atë mund t’ju ndihmojë të relaksoheni.
• Dëgjoni në mënyrë aktive: Kushtojini vëmendje asaj që thotë bashkëbiseduesi. Bëni pyetje shtesë për të treguar interes, pa hyrë në privatësi.
• Shmangni që biseda të tingëllojë si intervistë: Askush nuk dëshiron të ndihet sikur është në provim. Mos u fokusoni te biografia, por te tiparet, afinitetet, hobet…
• Përqendrohuni që vërtet ta njihni personin: Mënyra më e mirë për të njohur dikë është të zbuloni detaje nga jeta e tij dhe çfarë e bën të lumtur.
• Kërkoni pika të përbashkëta: Lidheni bisedën përmes interesave të përbashkëta dhe shkëmbeni përvoja. Bisedat më të mira janë ato që ju gjallërojnë të dyve.
• Mos krijoni pritshmëri joreale: Disa njerëz janë aq të fokusuar te gjetja e partnerit, saqë krijojnë presion të madh dhe e kthejnë takimin e parë në test përputhshmërie. Kjo e vret spontanitetin dhe kënaqësinë. Në vend të kësaj, shikojeni takimin e parë thjesht si një mundësi për të parë nëse dëshironi të takoheni sërish.
• Mos u përpiqni të dëshmoni veten: Shpesh njerëzit ndjejnë nevojën të impresionojnë tjetrin në takimin e parë, gjë që e prish ekuilibrin. Është e dobishme të mbani mend se jeni aty për të zgjedhur, jo për t’u shitur.



