Putini pranon ftesën e Parisit: Gati për dialog me Macronin

Putini pranon ftesën e Parisit: Gati për dialog me Macronin

Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për të rifilluar dialogun me presidentin francez Emmanuel Macron, në një moment delikat për negociatat mbi luftën në Ukrainë dhe rolin e Evropës në procesin e paqes.

Deklarata erdhi nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pasi Macron tha se, nëse ndërmjetësimi amerikan dështon, evropianët duhet të flasin drejtpërdrejt me Moskën. “Putin është gati për dialog”, tha Peskov, duke konfirmuar se presidenti rus është i hapur për një bisedë me homologun francez.

Reagimi i Moskës ka ndryshuar shpejt klimën diplomatike, në një kohë kur po zbehet ideja e një takimi trepalësh mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës. Edhe Pallati Elize ka konfirmuar se “tani që perspektiva e një armëpushimi dhe negociatave për paqe po bëhet më e qartë, është e dobishme të flitet sërish me Putinin”.

Parisi nuk ka dhënë ende një datë konkrete për takimin, por ka bërë të ditur se kushtet e dialogut do të përcaktohen në ditët në vijim, duke lënë të hapur edhe mundësinë e një takimi ballë për ballë.

Kjo lëvizje e Macron shihet si një përpjekje për ta rikthyer Francën në qendër të diplomacisë evropiane mbi Ukrainën, në një moment kur Gjermania ka shtuar aktivizmin e saj dhe kur BE-ja kërkon të ketë një rol më të fortë në negociata. Në prapavijë qëndron edhe faktori Donald Trump, me frikën se një dialog i drejtuar vetëm nga Uashingtoni mund të anashkalojë interesat evropiane.

Megjithatë, iniciativa e Macron është pritur me heshtje nga pjesa më e madhe e liderëve evropianë, ndërsa ekziston rreziku që një dialog i drejtpërdrejtë Paris–Moskë të krijojë ndarje brenda BE-së. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk i ka kundërshtuar publikisht përpjekjet diplomatike, por mbetet e paqartë nëse ky hap do të sjellë rezultate konkrete.

Vetë Macron kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Putinin edhe korrikun e kaluar, të parën pas tre vitesh, por pa asnjë ndikim real në terrenin e luftës. Nëse dialogu i ri do të hapë rrugën drejt paqes, mbetet për t’u parë./Periskopi/

Shpërndaje në: