Qeveri e Praktikantëve: Të drejtat autoriale të shprehjes, nuk i ka Lumiri, as Memli, as Ramushi – e tha i pari pensionisti për Periskopin
285 mijë qytetarë e kanë shikuar një video të Periskopit, realizuar në prillin e vitit 2021, me pensionistë. Kjo video, ishte bërë në kohën kur Qeveria Kurti pati ulur shtesat e pensionistëve për 20 euro më pak.
Mes pensionistëve ishte një me emrin Behxhet Reka. Ai e pati cilësuar Qeverinë Kurti si ‘qeveri e praktikantëve’.
‘Skandaloze. Qeveri e praktikantëve. Pa përvojë, kjo është e tmerrshme. Me pensionerë po e rritë fondin. Kjo nuk e di, është qeveri e kotit”, pati deklaruar z.Behxhet Reka.
Që prej kësaj deklarate, cilësimi i Qeverisë Kurti si ‘qeveri e praktikantëe’ nisi të hyjë në diskursin publik kosovarë.
E kemi dëgjuar shpesh këtë më pas edhe nëpër seanca të ndryshme të Kuvendit të Kosovës nga deputetë të opozitës.
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, na e rikujtoi dje se patentën e shprehjes e ka zoti Behxhet Reka.
Zoti Abdixhiku në një shkrim publikuar dje në Facebook, kritikoi ‘qeverinë praktikante’ se në kohën kur po rriten çmimet në kohë rekorde, Qeveria e ka lënë pa funksion Autoritetin e Konkurrencës.
“Çmimi i vajit rritet në rekord botëror, sepse fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë. S’ka kush t’i kontrollojë sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund; e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion. Sot bëhen 10 muaj që kur Qeveria praktikante e Kurtit ka lënë këtë institucion pa Bord, rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot”, shkruante Abdixhiku dje.
Si ishin zbritur shtesat për pensionistët?
Në prill të vitit 2021, Qeveria Kurti kishte zbritur shtesat e pensionistëve, që nënkupton se ua kishte hequr 20 euro prej parave në krahasim me tre muajt paraprak (sa merrnin pensionistët).
Kështu, Kurti kishte ‘shfuqizuar’ vendimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, sipas të cilit, pensionistët do të merrnin nga 30 euro shtesë mbi pensionin bazë.
Një vendim i tillë, pati ngjallur reagime të ashpra – sidomos mes pensionistësh – të cilët patën dëgjuar premtimet e kahmotshme të Kurtit si opozitarë teksa bënte fushata për ta marrë pushtetin, me premtimin e theksuar në përmirësimin e skemave sociale.
Para se të bëhej kryeministër, Kurti kishte premtuar dyfishimin e pensioneve minimale./Periskopi/




