Qeveria: Dialogu i ofruar nga kryeministri, mundësi për fakte jo për akuza

Qeveria: Dialogu i ofruar nga kryeministri, mundësi për fakte jo për akuza

Kryeministri i vendit Isa Mustafa pas kthimit të tij nga Nju Jorku, pritet që t’i mbledhë liderët opozitarë në një vend. Tryeza e paralajmëruar nga kryeministri për të diskutuar rreth çështjes së demarkacionit sigurisht se është konsideruar si e pranueshme nga opozita, por vetëm në rast që për demarkacionin të flitet nga pika zero.

Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu në një prononcim për Indeksonline ka thënë se kryeministri pritet t’i përkushtohet edhe më shumë agjendës së demarkacionit pas kthimit nga Amerika.

“Kryeministri Mustafa posa të kthehet nga New York-u do t’i përkushtohet edhe më shumë agjendës së demarkacionit ku përveç tjerash përfshihen edhe bisedat me faktorët relevant gjithsesi edhe me opozitën”, ka thënë Abdullahu.

Ndërsa sipas tij, dialogu i ofruar nga Mustafa është një mundësi për fakte dhe jo për akuza.

“Dialogu i ofruar nga Kryeministri Mustafa është edhe një mundësi për fakte jo për akuza. Konsiderojmë se akuzat për kokëfortësi nuk i ndihmojnë askujt, faktet e pa rrëzueshme duhet të jenë bazë e cilësdo bisedë, cilitdo komunikim”, ka shtuar Abdullahu.

Gjithashtu Abduallahu ka cekur se dialogu vazhdon të jetë parim i Qeverisë sa i përket demarkacionit.

“Duhet të ngadhënjejnë faktet e vërteta dhe pragmatizmi. Duhet të ngadhënjej interesi nacional i Kosovës dhe gjithsesi interesi i qytetarëve të saj. Qeveria vazhdon të jetë bashkëpunuese, jo përjashtuese dhe korrekte si në qasje ashtu edhe në metodat e punës. Një parimësi e tillë ka qenë e pranishme pandalshëm dhe do të vazhdohet në këtë mënyrë”, ka përfunduar Abdullahu./Indeksonline/

Shpërndaje në: