Qeveria e Kosovës dhe problemet e energjisë
Shkruan: Ethem Çeku
Sot jemi informuar se ka rënë nga sistemi Blloku A2, gjë që ka ndikuar në mungesën e energjisë së mjaftueshme për konsumatorët tanë. Në të njëjtën kohë po zhvillohen diskutime nga ZRRE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, çka shton shqetësimin e bizneseve dhe qytetarëve për situatën e krijuar.
Pavarësisht angazhimit të punëtorëve dhe inxhinierëve të KEK-ut, gjendja nuk pritet të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme. Ky problem rrezikon të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për shkak të mungesës së kapaciteteve të reja prodhuese, veçanërisht në sektorin e linjitit. Projektet që synonin zgjidhjen e këtij problemi nuk u realizuan, përkundrazi ato u ndërprenë duke e lënë vendin gjithnjë e më të varur nga importi dhe pa një perspektivë të qartë zhvillimore në sektorin energjetik.
Qeveria e Kosovës nuk duhet të merret me zgjidhje të përkohshme dhe shtyrje nga një ditë në tjetrën, por duhet të ndërmarrë investime strategjike për të rigjallëruar prodhimin edhe nga fushat e linjitit, siç kanë bërë vende të tjera në Evropë. Për shembull, Gjermania dhe Polonia kanë rehabilituar blloqe të vjetra termike të linjitit dhe i kanë riaktivizuar për të rritur kapacitetet prodhuese duke përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji.
Në këtë kuadër, qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet të hartojnë një strategji të përbashkët energjetike duke kërkuar një nivel më të lartë bashkëpunimi edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në funksion të investimeve të mëdha, transferimit të teknologjisë dhe forcimit të sigurisë energjetike në rajon.
Nëse nuk ndërmerren hapa të guximshëm dhe afatgjatë, ekziston rreziku real që buxheti i vendit të shpenzohet kryesisht për blerje të energjisë në tregjet e jashtme në vend që të investohet në ndërtimin e kapaciteteve vendore. Prandaj kërkohet vizion i qartë dhe vendimmarrje strategjike për ta nxjerrë vendin nga kriza e vazhdueshme energjetike.



