Qeveria ‘lëshon dorën’, tani ka një super-lajm për klubin kosovar

Qeveria ‘lëshon dorën’, tani ka një super-lajm për klubin kosovar

Vetëm një ditë pas suksesit historik të Përfaqësueses së Kosovës, një lajm tjetër i mirë ka ardhur nga Qeveria e Kosovës.

Kjo e fundit, në mbledhjen e radhës të mbajtur sot e ka aprovuar kërkesën e FC Prishtinës për ndarjen e parcelës për ndërtimin e një kompleksi modern, planin e të cilit Bardhekaltrit e kanë qe një kohë.

Ministri i Sportit, Kujtim Gashi para kabinetit qeveritar e përcolli kërkesën e klubit më të madh në vend, i cili u aprovua unanimisht në mbledhjen e Qeverisë.

“Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e kushteve sa më të mira për sportin e Kosovës dhe bazuar në kërkesën e klubit futbollistik Prishtina, i cili ka qenë i autorizuar sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër 15/68 i datës 09.10.2018 që t’i ndërmarrë të gjitha masat përgatitore, kërkoj nga Qeveria ta bëjë aprovimin për dhënien në shfrytëzim të parcelës me numër 1197/2 me sipërfaqe prej 100 mijë metra katrorë në zonën kadastrale Bërnicë e Poshtme – Prishtinë. Afati kohor për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone do të jetë 40 vjet dhe pa kompensim. Mënyra dhe kushtet për shfrytëzimin e kësaj prone do të përcaktohen me kontratë, që do të lidhet në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe përfaqësuesve të shfrytëzuesit”, ka thënë ministri Gashi.

Kërkesa e Kryeministrit Ramush Haradinaj për ndarjen e një parcele të tokës për vendosjen e FC Prishtinës i ka gëzuar tej mase Bardhekaltrit. Drejtuesit e klubit më të madh në vend tani mezi po e presin zbatimin e kërkesës së kryeministrit për ta jetësuar projektin e jashtëzakonshëm të tyre.

“Ky është një lajm shumë i madh për Prishtinën. Më në fund ka filluar të mendohet dhe të bëhet diçka për rininë e Prishtinës, për rininë e Kosovës. Është hera e parë që dikush e merr seriozisht këtë çështje, që të na ndahet parcela për arsye se Kosova nuk ka për të bërë as aeroplanë, as televizorë e as vetura, por të paktën këta të rinj t’i angazhojmë dhe të mos ëndërrojnë të dalin nëpër botë, por t’ua japim rastin edhe këtu të punojnë dhe të përgatiten. Më së shumti janë gëzuar fëmijët, rinia e Prishtinës. Ndoshta ishte dashur dikush tjetër të merret me rininë e Prishtinës, por kryeministri na hapi një rrugë dhe na dha një shpresë të madhe”, ka thënë presidenti i klubit prishtinas, Remzi Ejupi.

FC Prishtina qysh moti e ka bërë projektin, por institucionet ia pamundësonin ta jetësonin. Prishtinasit planifikojnë ta ndërtojnë një kompleks modern në vlerën prej 3.5 milionë eurosh. Si në Evropë. Projekti parasheh ndërtimin e disa fushave ndihmëse me bar sintetik dhe me bar natyral. Po ashtu planifikohet edhe ndërtimi i një konvikti për të rinjtë e Akademisë.

Prishtinasit insistojnë se stadiumin e rinovuar do ta përdorin vetëm për ndeshje kampionale, por edhe për ato ndërkombëtare, qofshin të tyre apo edhe klubeve tjera.

Ata thonë se stadiumi i rinovuar natyrisht se duhet ruajtur si sytë e ballit.

Andaj e shohin si të domosdoshëm kompleksin sportiv, ku do t’i zhvillonin stërvitjet e në të njëjtën kohë dhe vend do të funksiononte edhe akademia e klubit më të madh kosovar.

Shpërndaje në: