Qindra kg kokainë nga Shqipëria dhe mbi 400 mijë euro të sekuestruara: SPAK zbulon grupin kriminal

Qindra kg kokainë nga Shqipëria dhe mbi 400 mijë euro të sekuestruara: SPAK zbulon grupin kriminal

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar ekzekutimin e masave të sigurisë “arrest në burg” për 10 persona të dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, i cili merrej me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.

Të arrestuarit janë: Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini alias Aldo Iamandi, Jani Çavo, Islam Sefa alias Islam Xaka, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Zamir Aliaj alias Zamir Çoku, Sokol Qaja dhe Marvin Bushati alias Marvin Kopliku.

Katër të tjerë – Bujar Sefa, Hajdar Sefa, Vildan Baroku dhe Ervis Shuli – janë shpallur në kërkim dhe po ndiqen nga strukturat e policisë së shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas SPAK, gjatë kontrollit janë sekuestruar:

415,000 euro, 7,000 dollarë amerikanë dhe 1,000,000 lekë

11 aparate celularë

3 automjete (BMW X-5, Range Rover, Volkswagen Golf 6)

1 armë zjarri model Glock me 9 fishekë

1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi, 1 orë ROLEX, 1 DVR dhe dokumente të ndryshme

Hetimet e SPAK zbulojnë se grupi kriminal trafikonte narkotikë nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe Gjermanisë, nga Ekuadori drejt Holandës dhe nga Shqipëria drejt Turqisë.

Komunikimet mes të dyshuarve realizoheshin përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”, të dhënat e të cilit u siguruan nga autoritetet franceze.

Operacioni ka përfshirë bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, franceze, holandeze, belge, malazeze, turke dhe ekuadoriane, si dhe me Eurojust dhe Europol.

SPAK njofton se hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto aktivitete kriminale dhe administrimin e provave për rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në grup.

Ky operacion është pjesë e procedimit penal nr. 9 të vitit 2024, i regjistruar nga SPAK për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, të kryera gjatë viteve 2020-2021.

Shpërndaje në: