Rafuna: Çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në protestën e cila është duke u mbajtur në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë kundër vendimit të Zyrës të Rregullatorit të Energjisë për Tregun e Lirë të energjisë ka thënë se sot jemi mbledhur këtu kundër një padrejtësie që është duke u bërë ndaj biznesit, ekonomisë së vendit dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës.
“Nuk jemi sot këtu për lluks. Nuk jemi për me kërkuar mëshirë. Jemi me kërkuar një të drejtë tonën që na takon. Energjia elektrike është dritë. Është motor i zhvillimit ekonomik . Çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai, raporton Periskopi.
Rafuna ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëjë një pako për t’i ndihmuar bizneset gjatë fazës së tranzicionit.
“Ne të gjithë e kemi një kërkesë të vetëm na jepni një fazë të trancizionit. Përgatiteni tregun që të kaloj në tregun e lirë. Më pas edhe një paketë të cilën e kanë pasur të gjitha vendet e rajonit, Evropës por edhë më gjërë që i kanë ndihmuar bizneset që mos me vërejte asnjë efekt negativë që të mos ndikojë në ulje ose në mbyllje dhe të mos ndikoj në uljen e standardit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka treguar që asnjë biznes nuk është kundër daljes në tregun e lirë.
“Ne nuk jemi fajtor që nuk është përgatitë tregu. Nuk kemi konkurrencë, kemi monopol. Dalja në treg të lirë nuk është kundër asnjë biznes për të dalur në tregun e lirë. Duhet të dijnë të gjithë. Asnjë biznes nuk është kundër daljes në tregun e lirë. Duam treg të lirë, duam të kemi konkurrencë. Duam të dalum në treg të lirë me vullnetin tonë jo në mënyrë të dhunshme ”, ka thënë ai.
Ai para protestueseve ka thënë se janë të bashkuar, ndërsa ka një mesazh për Qeverinë e Kosovës.
“Ata që heshtin. Ata që na injorojnë nuk do të fitojnë. Do të fitojë zëri i biznesit. Gjithkund ka fituar zëri i biznesit, mos na i mbyllni dyert. Mos na leni pa të ardhura”, ka thënë Rafuna./Periskopi



