Rakitic përmend Igli Taren: Falë tij, Modric është te Milani dhe po kalon një periudhë të mirë
Ivan Rakitiç ka qenë për shumë vite një nga miqtë më të ngushtë të Luka Modriç në përfaqësuesen e Kroacisë dhe kjo miqësi ka vazhduar edhe pse ishin rivalë në La Liga, njëri te Barcelona e tjetri te Real Madrid.
Ai njeh shumë mirë mesfushorin i cili po shkëlqen edhe në moshën 40-vjeçare në radhët e Milanit, arsye pse “Gazzetta Dello Sport” i ka bërë një intervistë për të kuptuar më shumë rreth fituesit të “Topit të Artë” në vitin 2018.
“Folëm dje bashkë. Luka është shumë i lumtur, më ka ftuar në Milano, më thotë se futbolli është shumë më i ndryshëm se në Spanjë, por ndjehet shumë mirë. Është shumë i lumtur me shokët e ekipit dhe me jetën në Itali, familja e tij po i gëzohet këtij kapitulli të ri dhe për ne futbollistët, familja është gjithmonë shumë e rëndësishme. Luka për të gjithë këtë duhet të falënderojë Igli Taren, ishte ai që e solli te Milani”, tha fillimisht Rakitiç.
“Unë mendoja se do e mbyllte te Reali, por si mik dhe vëlla, ta shoh te Milani më jep një gëzim shumë të madh. I festoj të gjitha fitoret e tij, personale dhe ekipore, sikur të ishin të miat.
Si është e mundur që është vendimtar edhe pse në këtë moshë? Duhet të kuptoni që Luka është tërësisht i ndryshëm nga të tjerët për mënyrën e tij të jetesës dhe të punës. Futbolli tani është më i ri në moshe se në të kaluarën, por i jep mundësinë atij që punon mirë, vetëm atyre që punojnë shumë mirë, që të zgjatin karrierën. Lukas i pëlqen profesioni i tij, ai jeton për futbollin dhe bën gjithçka mirë”, tha ish-mesfushori kroat./Periskopi/



