Rama darkon me vajzën dhe dhëndrrin e Trump në Vlorë
Nën masa të rrepta sigurie, kryeministri Edi Rama ka takuar në Vlorë vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.
Pas takimit, ata kanë darkuar sëbashku, ndërsa siç raporton gazetarja e Klan News, Greta Haskaj, Ivanka Trump dhe Rama po udhëtojnë drejt Orikumit me makinë të përbashkët.
Vajza e Presidentit Donald Trump, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë mbërritur këtë të mërkurë në qytetin bregdetar.
Mësohet se vizita e çiftit Trump-Kushner lidhet drejtpërdrejt me investime strategjike në sektorin e turizmit në Shqipëri.
Ata do të zhvillojnë një takim me studio arkitekturore për të diskutuar rreth mënyrës së realizimit të projekteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Për këto projekte janë ftuar të marrin pjesë mbi 60 studio arkitekturore, vendase dhe ndërkombëtare, të cilat do të prezantojnë ide dhe koncepte zhvillimi me standarde të larta, duke e kthyer jugun e Shqipërisë në një destinacion të turizmit luksoz.
Dhëndri i Presidentit amerikan ka marrë statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, i cili është përdorur vetëm si bazë ushtarake.
Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. Projekti parashikon “marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre”.
/tvklan.al



