Ramiz Kelmendi fshehu sëmundjen për muaj të tërë, sot e përdori për të mos shkuar në Kuvend

Ramiz Kelmendi fshehu sëmundjen për muaj të tërë, sot e përdori për të mos shkuar në Kuvend

Ka dy muaj që deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ramiz Kelmendi i nënshtrohet hemodializës në Spitalin e Pejës për shkak të problemeve që ka me veshkat.

Por hemodializën në ditën e sotme, Kelmendi ka vendosur që të mos e bëj në mesnatë sikurse herëve të kaluara, por në orën 17:00, një orë pasi nisi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas burimeve të Periskopit, pas paraqitjes së kësaj gjendjeje shëndetësore, Kelmendi kishte kërkuar që hemodializa t’i bëhej pas mesnatës për arsye se nuk dëshironte të kuptohej në publik për problemin e tij shëndetësor. Madje, thuhet se i ka bërë probleme edhe stafit mjekësor të sitalit për shkak të orarit të papërshtatshëm për t’iu nënshtruar hemodializës.

“Deputeti Ramiz e bën hemodializën në Spitalin e Pejës qe dy muaj. Ka kërkuar kështu sepse nuk do që të kuptohet për problemin e tij shëndetësor”, tha një person që ka njohuri për gjendjen e tij, por që kërkoi të mbetet anonim.

Kështu nuk ka vepruar sot, dhe krejt kjo duket si një justifikim i tij për të mos shkuar në Kuvend për shkak të kundërshtimit që ai e ka ndaj kësaj marrëveshjeje. Dhe para pak minutash, atij iu publikua edhe një fotografi nga spitali.

Fillimisht, Kelmendi në media tha se nuk do ta votojë marrëveshjen për Demarkacionin sepse kishte marrë kërcënime në familje.

“Më është kërcënuar familja, dhe kjo është mbi të gjitha për mua. Nuk kam siguri nëse e votojë këtë marrëveshje”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi ka shprehur mosbesim ndaj organeve të drejtësisë, duke thënë se këtë çështje nuk do ta denoncojë për shkak të pasigurisë.

Sot gjatë ditës, ai tha se në seancën e sotme nuk mund të marrë sepse ka probleme shëndetësore.

“Sot nuk mundem me qenë në seancë, kam trajtim shëndetësor që zgjat 5 orë, deri në orën 10, e unë nuk mund të marr pjesë për shkak të vlerave dhe helmeve në trupin tim që rriten”, ka thënë ai. /Periskopi

Shpërndaje në: