Raporti i “ReKos” për vitin 2024: Mbi gjysma e popullsisë jashtë tregut të punës

Raporti i “ReKos” për vitin 2024: Mbi gjysma e popullsisë jashtë tregut të punës

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhëna të reja mbi tregun e punës, sipas të cilave shkalla e papunësisë në Kosovë është 13.9%.

Të dhënat dalin nga raporti i “ReKos 2024″, i cili ofron një pasqyrë të detajuar të treguesve të punësimit në nivel vendi dhe komunal.

Sipas këtij publikimi, nga mbi 1 milion persona në moshë pune, rreth 514 mijë janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 548 mijë konsiderohen joaktivë. Numri i të punësuarve arrin në 443 mijë, ndërsa 71 mijë persona janë të papunë.

Raporti thekson se shkalla e jo-aktivitetit mbetet një ndër sfidat kryesore, duke arritur në 51.6%. Kjo dukuri është dukshëm më e lartë tek gratë, me 65.4%, krahasuar me 37.8% tek burrat.

Sa i përket sektorëve ekonomikë, pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në tregti, prodhim dhe ndërtimtari. Ndërkohë, gratë dominojnë në sektorët e tregtisë, arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa burrat kryesisht në prodhim, ndërtimtari dhe administratë publike.

ASK sqaron se dallimet mes këtyre të dhënave dhe atyre të Anketës së Fuqisë Punëtore janë të pritshme për shkak të metodologjive të ndryshme, duke theksuar se kjo e fundit mbetet burimi kryesor për statistikat e tregut të punës, ndërsa Regjistrimi i Popullsisë shërben si bazë për analiza më të detajuara.

Komunikata e plotë: 

Shkalla e papunësisë në Kosovë sipas ReKos 2024 ishte 13,9 %

Raporti “Të dhënat e tregut të punës sipas komunave”, ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar të treguesve të tregut të punës në nivel komune. Analiza përfshin të dhëna mbi popullsinë sipas gjinisë, përkatësisë etnike dhe tipit të vendbanimit, si dhe mbi popullsinë e moshës 15–64 vjeç sipas statusit të aktivitetit ekonomik.  Në mënyrë të veçantë, publikimi paraqet të dhëna të detajuara për:

  • personat e punësuar, të papunësuar dhe popullsinë ekonomikisht joaktive;
  • shpërndarjen sipas gjinisë, grup-moshave, nivelit të arsimit, profesionit dhe të aktiviteteve ekonomike;
  • statusin në punë, vendin e punës dhe tipin e vendbanimit;
  • orët e punës gjatë javës referuese para regjistrimit;
  • shpërndarjen territoriale të treguesve sipas komunave.

Gjithashtu, publikimi përfshin analiza të detajuara mbi strukturën e punësimit sipas aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe përkatësisë etnike, si dhe të dhëna mbi papunësinë sipas gjinisë, grup-moshave, nivelit të arsimit të përfunduar dhe arsyeve kryesore të jo-aktivitetit. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pjesëmarrjes në tregun e punës të personave me vështirësi afatgjata.

Sipas Rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024, Shkalla e papunësisë në Kosovë ishte 13,9 %. Derisa, rreth dy të tretat e popullsisë në Kosovë  (1 063 687) ishin popullsi në moshë pune; Persona aktivë ishin 514 791; Persona joaktivë ishin 548 896; Persona të punësuar ishin 443 364; dhe Persona të papunësuar ishin 71 427.

Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë Shkalla e jo-aktivitetit mbetet një nga sfidat kryesore të tregut të punës në Kosovë me 51,6 %. Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar tek femrat, ku shkalla e jo-aktivitetit është 65,4 %, krahasuar me 37,8 % te meshkujt. Tregtia, arsimi dhe shëndetësia prijnë me punësim te femrat Sektorët kryesorë ekonomikë që dominojnë punësimin, ishin: tregtia me 19,7 %, prodhimi me 12,7 %, ndërtimtaria me 9,6 %, arsimi me 8,5 % dhe administrata publike dhe mbrojtja me 8,2 %. Femrat ishin të punësuara, kryesisht në sektorët e tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor, me 48,9 % të tyre. Ndërsa, meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë, administratës publike dhe mbrojtjes, në aktivitetet e akomodimit dhe shërbimeve me 63,2 %.

Shënim: Dallimet në rezultatet e treguesve të punësimit dhe papunësisë ndërmjet Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024) dhe Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) janë të pritshme dhe burojnë nga metodologjitë e ndryshme të mbledhjes së të dhënave, periudhat e referencës, përkufizimet statistikore të përdorura etj. Për këtë arsye, Anketa e Fuqisë Punëtore konsiderohet burimi kryesor për statistikat e tregut të punës. Ndërkohë, të dhënat nga Regjistrimi i Popullsisë (ReKos 2024) shërbejnë si burim plotësues, duke ofruar mundësi për analiza më të detajuara strukturore dhe territoriale veçanërisht në nivel komunal dhe për grupe të ndryshme të popullsisë.

Shpërndaje në: