Reagon organizata “Germin” që u përmend si përfituese në njoftimin për aktakuzën ndaj Ministrit të Kurtit
Organizata GERMIN ka reaguar ndaj përmendjes së emrit të saj në njoftimin e Prokurorisë Speciale lidhur me aktakuzën ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe një zyrtari tjetër të kësaj ministrie.
Në një reagim publik, GERMIN e ka cilësuar këtë përmendje si “të padrejtë, të pabazuar dhe të dëmshme”, duke theksuar se organizata nuk ka pasur dhe nuk ka kurrëfarë marrëdhënie kontraktuale apo financiare me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR).
“Prokuroria, me ose pa qëllim, ka lënë të kuptohet se kinse GERMIN ka përfituar mjete financiare në kundërshtim me procedurat ligjore për financimin e OJQ-ve. Kjo është plotësisht e pavërtetë dhe në kundërshtim me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë”, thuhet në deklaratën e organizatës.
GERMIN thekson se reputacioni i saj është ndërtuar me integritet ndër vite dhe se përfshirja në mënyrë të padrejtë në një aktakuzë dëmton seriozisht imazhin dhe punën e saj.
Organizata kërkon nga mediat që të bazohen në deklarata zyrtare dhe nga institucionet që të jenë të kujdesshme në përmendjen e organizatave të shoqërisë civile në procese të ndjeshme gjyqësore.
Në fund, GERMIN rithekson angazhimin e saj të pavarur dhe transparent në fuqizimin e lidhjeve me diasporën dhe përfaqësimin pozitiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Reagimi i plotë:
Ndërsa, sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkës dhe sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Përmes një njoftimi nga Prokuroria Speciale thuhet se F.D., në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, dhe B.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, akuzohen se, nga data 16.08.2021 deri më 24.03.2022, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”./Periskopi/



