Real Madridi ia zgjat jetën si ‘mbret’ edhe për tre vite Zidanes

Real Madridi ia zgjat jetën si ‘mbret’ edhe për tre vite Zidanes

 Madrilenët nuk humbin kohë, por gjejnë marrëveshjen me francezin, ku Zidan do të jetë “mbret” edhe për 3 vitet e ardhshme . Rinovimi në prag të “El Clasico” me Barçën

Reali i Madridit njohu një sukses të madh këtë vit, pasi fitoi titullin kampion në Spanjë në duel me Barcelonën, fitoi UEFA Champions League në finale me Juventusin, si dhe Superkupën e Europës përballë Mançester Junajtid.

Një triumf i trefishtë që mundësoi vlerësimet maksimale për skuadrën e trajnerit Zinedin Zidane. Vetë tekniku francez, ka mundur të sigurojë suksese të jashtëzakonshme në më pak se 19 muaj në krye të Realit, duke u krahasuar me trajnerët më të mëdhenj.

Janë 6 trofe nën drejtimin e Zidanit, që e bëjnë Realin e tij të pakapshëm. Duke parë këto suksese, klubi i Realit të Madridit është bindur të rinovojë kontratën me teknikun francez, për të mos i lënë asgjë rastësisë dhe për ta “blinduar” Zidanin në krye të “Los Blancos”.

Sikurse shkruajnë vetë mediat spanjolle, tek Reali i Madridit nuk është vetëm Isko që do të rinovojë kontratën pasi tashmë edhe rinovimi me tre vjet i teknikut Zinedine Zidane është zyrtar.

Në konferencën për shtyp përpara “El Classicos” së parë të Superkupës së Spanjës, vet trajneri francez deklaroi: “Jam shumë i lumtur për besimin që më është dhënë, jam i lumtur edhe që kemi bërë një punë të mirë duke arritur objektivat tanë, të cilët mbeten të njëjtët edhe në këtë sezon.

Do të luftojmë për të fituar çdo titull, edhe pse gjithnjë ka ulje dhe ngritje, duhet ta shfrytëzojmë këtë stad për të vijuar sukseset tona. Gjithsesi, pavarësisht rinovimit tim për tre sezonet e ardhshme diçka është e sigurt, se unë dhe Reali nuk do të diskutojmë kurrë.

Për sa i takon ndeshjes së parë të Superkupës mund të them se Kristiano Ronaldo është gati. Është kthyer nga pushimet dhe ka punuar shumë gjatë këtyre 5 ditëve të fundit. Të gjithë jemi gati. Për sa i përket Barcelonës, mendoj se këdo që do të vendosin në vend të Nejmar do të luajë mjaft mirë, do të japë maksimumin, por Nejmar është Nejmar, asnjë nuk mund ta zëvendësojë atë.

Paga e trajnerit francez do të dyfishohet, nga 4,35 milionë në gati 8 milionë euro në vit. Por për këtë do t’i duhet të përmbushë objektivat e vendosur nga klubi, për realizimin e të cilave, ai dhe lojtarët do të marrin shpërblime të dyfishta. Klubi e vlerëson maksimalisht punën e Zidane.

Ai ka fituar 6 tituj deri më tani, dy trofe të Champions League, dy Superkupa të Europës, një titull të La Ligës dhe trofeun në Botërorin për Klube.

Suksese këto të arritura në vetëm 20 muaj, ndërkohë francezi klasifikohet edhe si një nga katër trajnerët me më shumë trofe të fituar në historinë 115-vjeçare të klubit të Realit Madridit me rinovimin e kontratës Zidane do të ketë mundësinë të bëjë lëvizje afatgjata në merkato, të orientojë më mirë grupin në procesin stërvitor dhe të përzgjedhë elementët që dëshiron për sfidat e mëdha.

Rinovimi i Zidane vjen në një moment madhor, pasi sot në mbrëmje Reali e barcelona do të luajnë duelin e parë midis tyre për Superkupën e Spanjës. Është një “El Clasico” mjaft domethënëse për Zidane.

 

 

Shpërndaje në: