Reçica: Spitali i Ferizajt nuk u vonua rastësisht, mbeti peng për 6 vite nga një qeverisje inatçore
Elmi Reçica ka reaguar lidhur me vonesat në ndërtimin e Spitalit Regjional të Ferizajt, duke theksuar se projekti nuk u zvarrit rastësisht, por si pasojë e një qeverisjeje që, sipas tij, vendosi interesat politike mbi shëndetin e qytetarëve, shkruan Periskopi.
“Spitali regjional i Ferizajt nuk u vonua rastësisht, ai u mbajt peng për vite të tëra nga një qeverisje inatçore dhe e papërgjegjshme që vendosi interesat politike mbi jetën dhe shëndetin e qytetarëve…”, ka shkruar Reçica.
Ai ka theksuar se për Ferizajn, Shtimjen, Shtërpcën, Kaçanikun, Hanin e Elezit, si dhe për një pjesë të konsiderueshme të Vitisë dhe Lipjanit, mungesa e këtij spitali nuk është statistikë, por pasojë direkte e keqqeverisjes që ka zgjedhur të bllokojë në vend që të ndërtojë.
Reçica ka deklaruar se bëhet fjalë për mbi 250 mijë qytetarë që kanë mbetur pa shërbime të denja shëndetësore dhe se për vite me radhë projekti ka mbetur i ngrirë pa arsye reale, duke shtuar se mijëra qytetarë janë detyruar të përballen me mungesë të shërbimeve bazë shëndetësore.
Ai ka bërë të ditur se për gjashtë vite rresht ka tërhequr vëmendjen për këtë projekt, duke ngritur çështjen vazhdimisht dhe duke ndërmarrë veprime për vazhdimin e ndërtimit, por sipas tij, këto përpjekje janë injoruar.
POSTIMI I PLOTË:
Spitali regjional i Ferizajt nuk u vonua rastësisht, ai u mbajt peng për vite të tëra nga një qeverisje inatçore dhe e papërgjegjshme që vendosi interesat politike mbi jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Për Ferizajn, Shtimjen, Shtërpcën, Kaçanikun, Hanin e Elezit si dhe për një pjesë të konsiderueshme të komunës së Vitisë dhe Lipjanit, mungesa e këtij spitali nuk është statistikë, por pasojë direkte e një keqqeverisjeje që ka zgjedhur të bllokojë në vend që të ndërtojë. Bëhet fjalë për mbi 250 mijë qytetarë që kanë mbetur pa shërbime të denja shëndetësore. Për vite me radhë, Qeveria Kurti e la këtë projekt të ngrirë, pa asnjë arsye reale, duke dëshmuar se kur bëhet fjalë për qytetarët, prioritet nuk është shëndeti i tyre, por kalkulimi politik dhe inati institucional. Ndërkohë, mijëra qytetarë u detyruan të përballen me mungesë të shërbimeve bazë shëndetësore, duke paguar çmimin e kësaj papërgjegjësie.
Për 6 vite rresht kam tërhequr vëmendjen për këtë projekt jetik. Kam ngritur çështjen vazhdimisht, kam bërë pyetje parlamentare dhe kam ndërmarrë veprime të ndryshme për të shtyrë përpara vazhdimin e ndërtimit të spitalit. Megjithatë, përballë një qasjeje bllokuese, këto përpjekje u injoruan. Me qeverisjen e PDK-së, Spitali Regjional i Ferizajt do të duhej të ishte lëshuar në funksion që më 15 qershor 2021. Sot, kur punimet më në fund kanë filluar, nuk ka asnjë arsye për vetëlavdërim. Ky është një pranim i heshtur se vonesa ishte e pajustifikueshme. Është dëshmi se nuk ka pasur pengesa reale, vetëm mungesë vullneti, mungesë përgjegjësie dhe një qasje hakmarrëse ndaj projekteve që nuk u shërbenin interesave të tyre politike.



