Republikat vdesin ngadalë, me përjashtime të vogla!

Republikat vdesin ngadalë, me përjashtime të vogla!

Shkruan: Dardan Sejdiu

Ka një mënyrë të heshtur se si vdes demokracia. Jo me grusht shteti, jo me policë e ushtarë në rrugë, por me përjashtime të vogla, me shmangie që duken të pafajshme, me “zgjidhje të përkohshme” që bëhen zakon.

E kështu, pak nga pak, institucionet që ndërtohen për ta mbrojtur lirinë, kthehen në mjete për ta zbehur atë.

Në Hungari, Viktor Orban nuk ka ardhë në pushtet me dhunë. Ai erdh me premtimin e stabilitetit dhe “sovranitetit kombëtar”. Filloi me disa ndryshime teknike, me disa rregulla të reja për zgjedhje “më të drejta”. Asnjë akt i vetëm nuk dukej fatal. Por Orbán ndërtoi një sistem që ruan pamjen e demokracisë, me parlament, zgjedhje dhe flamur, por jo shpirtin e saj. Shteti mbeti, republika u zbraz.

Në Serbi, Aleksandar Vucic nuk ndryshoi kushtetutën, e ndryshoi jetën politike. Opozita mbeti në fletëvotim, por u zhduk nga ekranet. Protesta u lejua, por u zbraz nga kuptimi. Serbia, siç e përshkruan Le Monde, është bërë laborator i një autoritarizmi të ri, ku zgjedhjet mbahen, por pushteti nuk ndërrohet.

Në Indi, Narendra Modi e ka kolonizuar demokracinë me ndjenja. Ai nuk e ndaloi median e lirë, e bëri të panevojshme përmes propagandës emocionale dhe nacionalizmit që mbush hapësirën publike dhe rrjetet sociale. India ende voton, por vota po bëhet ritual, jo kontroll ndaj pushtetit. Kur besimi kthehet në ideologji e kritika në tradhti, demokracia s’është më sistem, por altari i pushtetit.

Orban, Vucic, Modi, që të tre versione të së njëjtës histori. Shkeljen e parë e paraqitën si domosdoshmëri, të dytën si drejtësi, të tretën si vullnet të popullit. E kur populli mësohet që çdo shkelje bëhet “për të mirën e tij”, atëherë ligji fillon të rrëshqasë në baltën e arbitraritetit. Në atë rrëshqitje fillon fundi i republikave moderne.

Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të zëshëm kur një qeveri në detyrë, e zgjedhur nga një legjislaturë e shkuar, propozon buxhetin për vitin e ardhshëm. Nuk është vetëm akt financiar, është sinjal politik. Është momenti kur ekzekutivi projekton të ardhmen pa mandat, duke e zhvendosur vullnetin e sovranit nga Kuvendi tek vetja.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Neni 4 është zemra e sistemit: Kuvendi i bën ligjet, Qeveria zbaton, Gjyqësori kontrollon. Kjo nuk është formë, është frymë. Kur njëra palë merr kompetencat e tjetrës, qoftë edhe në emër të “stabilitetit fiskal”, nuk është efikasitet por është deformim. Republika jeton vetëm për sa kohë pushtetet kufizojnë njëri-tjetrin.

Në këtë kuptim, “vazhdimësia e shtetit” nuk është justifikim për tejkalim të mandatit. Ligji e ka parashikuar këtë. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike thotë qartë: në mungesë të buxhetit të ri, ai i vjetri zgjatet për disa muaj, me vendim të Kuvendit, jo me dekret të Qeverisë. Shteti ka mekanizëm, nuk ka krizë.

Demokracia është makinë kogja precize. Shtrafat janë rregullat e vogla, kontrolli parlamentar, transparenca fiskale, ndarja institucionale. Secili shtraf e mban sistemin në ekuilibër. Kur hiqet një shtraf, makina ecë, por dridhet ka pak. Kur hiqen disa shtrafa, ajo ecë duke u dridhur, derisa një ditë bie. Dhe kur bie, nuk bie nga goditje e jashtme, por nga brenda, nga heqja e shtrafave, lodhja e materialit, nga ndjenja e përhershmërisë që e bën pushtetin të harrojë se është i përkohshëm.

Në Hungari, në Serbi, në Indi e tash edhe në disa demokraci të lodhta të Perëndimit, përjashtimi është bërë normë. Fillimisht për efikasitet, më pas për interes kombëtar, në fund për “stabilitet”. Kështu lind autoritarizmi i ri, me duar të pastra dhe ndërgjegje të lodhur.

Kosovës i duhet ta rigjejë vetën. Sepse ky debat nuk është për buxhetin, është për shpirtin e Republikës. Nuk është për financa publike, por për ndershmëri institucionale.

Dhe për ta ruajtur këtë, s’duhen fjalë të mëdha, duhen reagime të përditshme. Duhet të mësojmë të mos e kalojmë me heshtje shkeljen e parë, sepse ajo përcakton nëse e kemi ende republikën apo vetëm iluzionin e saj.

Në fillim vjen indiferenca, pastaj admirimi për “stabilitetin”, e në fund zgjohemi në një botë që s’e njeh më lirinë si vlerë, por si pengesë. Liritë rrëzohen nga apatia, nga heshtja e atyre që besojnë se s’i takon më askujt t’i mbrojë. Dhe kur ligji shihet si pengesë e jo si mbrojtje, republika fillon me u rrënu prej vetes.

Shpërndaje në: