Rikthehet ‘çika e artë’ e Kosovës

Rikthehet ‘çika e artë’ e Kosovës

Majlinda Kelmendin do ta shohim në gara këtë fundjavë, pas 14 muajsh pauze, shkaku i lëndimit të pësuar në Kampionatin Botëror, Budapest 2017, të mbajtur në fund të muajit gusht të vitit të kaluar.

Kampionia olimpike nga Rio 2016, do të garojë në Grand Slamin e xhudos Abu Dhabi, të Emirateve të Bashkuara Arabe, që mbahet prej 27 – 29 tetor. Në Abu Dhabi, Majlinda kishte fituar medaljen e artë në vitet 2011, 2012 dhe 2014, ndërsa në 2015 fitoi të bronztën.

Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, është i lumtur që kampionia jonë po kthehet në gara.

“Po, Majlinda do të kthehet këtë javë në gara, pas një pauze të gjatë. Sa i përket medaljes është pauzë e gjatë dhe nuk e di se si ka ndikuar”, ka thënë Kuka për “noc-kosovo.org”.

Krahas Majlindës, që garon në kategorinë -52 kilogramë në Abu Dhabi, që vlen për pikë olimpike Tokyo 2020, vendin tonë e përfaqësojnë edhe kampionia e Evropës në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora Gjakova, Distria Krasniqi (-48 kg.) dhe Akil Gjakova (-73 kg.)

Majlinda, Nora dhe Distria do të garojnë të shtunën, ndërsa Akili të dielën./Periskopi/

Shpërndaje në: