Rinumërimi i votave drejt përfundimit, KQZ: Pas përmbylljes presim më pak ankesa
Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar në një postim në Facebook se procesi i rinumërimit “i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa”.
Duke folur për procedurat ligjore, Elezi ka theksuar se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe, në rast nevoje, procesi mund të vazhdojë edhe në Gjykatën Supreme.
Ai ka shtuar se, megjithëse rinumërimi ndihmon në qartësimin e rezultateve, KQZ duhet të presë përfundimin e afatit ligjor për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave para se të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar dhe mbylljen e procesit zgjedhor.
Ndërkohë, KQZ ka njoftuar se deri të dielën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 65 për qind e vendvotimeve, respektivisht 1,662 nga gjithsej 2,557.



