Rinumërimi i votave kalon 75%, ndryshime të mëdha në rezultatet e kandidatëve – Fetah Paçarizi, Xhavit Uka dhe Arbër Rexhaj me minus të madh votash
Rinumërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 ka kaluar shifrën e 75 për qindëshit në nivel vendi.
Procesi po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përditëson vazhdimisht rezultatet në platformën zyrtare.
Sipas të dhënave të deritanishme, kandidatët që po humbin më së shumti vota nga rinumërimi mbesin të njëjtë brenda secilës parti politike.
Nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kandidatit Arbër Rexhaj deri më tani i janë hequr 627 vota.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, Fetah Paçarizi rezulton me humbjen më të madhe të votave, gjithsej 6,776 më pak krahasuar me rezultatin fillestar.
Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Xhavit Uka ka mbetur pa 1,648 vota.
Procesi i rinumërimit dhe verifikimit të secilës fletëvotim erdhi pas parregullsive dhe dyshimeve për manipulime, të cilat u zbuluan gjatë numërimit fillestar nga vetë komisionerët zgjedhorë.
Prizreni është identifikuar si komuna me numrin më të madh të rasteve të dyshuara për manipulim të votave, megjithatë hetimet janë zgjeruar edhe në komuna të tjera të vendit.



