Rinumërimi i votave: Këto janë procedurat të cilat mund të rrezikojnë afatin për zgjedhjen e Presidentit
Eugen Cakolli nga KDI ka vlerësuar si vendim të duhur shkuarjen në rinumërim në nivel vendi, pas dyshimeve për manipulim të votave në disa komuna, shkruan Periskopi.
Në një deklaratë për Periskopin, Cakolli ka vlerësuar se me dyfishimin e kapaciteteve të numërimit, KQZ mund ta mbyllë procesin e rinumërimit maksimalisht brenda dy javëve.
“Vendimi i KQZ për rinumërim të plotë është vendimi i duhur në situatën në të cilën ndodhemi dhe, në bazë të dinamikës së deritanishme të punës, do të duhej t’i merrte disa javë për t’u përmbyllur, megjithatë nga informacionet tona KQZ e ka dyfishuar pothuajse kapacitetin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, duke shtuar tavolina shtesë, të cilat mundësojnë përmbylljen e deri në afërsisht 10 kutive të numërimit, që në total deri më tani kanë qenë 80 sosh. Kanë qenë 20 tavolina të cilat kanë numëruar afërsisht 80 kuti brenda ditës, derisa tani, me rritjen e kapaciteteve, pra me afërsisht 10 kuti, atëherë unë besoj që brenda maksimalisht dy javëve do të duhej që KQZ ta përmbyllë procesin e rinumërimit të tërësishëm”, tha Cakolli për Periskopin.
Tutje, Cakolli sqaroi hapat tutje pasi të përfundojë rinumërimi i votave.
“Pas përmbylljes së procesit të rinumërimit do të fillojë të rrjedhë afati për ankesa lidhur me procedurën e numërimit, i cili fillimisht është afat 48 orë në PZAP. PZAP ka deri në katër ditë kohë, pastaj është afati i njëjtë edhe për Gjykatën Supreme, vetëm pas të cilave mund të shkohet në shpalljen e rezultateve përfundimtare, që janë hapi i parafundit, sepse edhe pastaj ka edhe 10 ditë apo gati dy javë ankesa dhe tek pas tyre mund të procedohet me certifikim të rezultateve dhe fillim të procedurave për formim të institucioneve”, u shpreh ai.
Cakolli paralajmëroi se ky proces mund ta rrezikojë edhe mundësinë e zgjedhjes me kohë të presidentit.
“Nëse KQZ nuk do t’i rrisë kapacitetet dhe resurset e punës, ekziston rreziku që procedura të mos përmbyllet minimalisht deri nga fundi i muajit shkurt, që pastaj do të kishte ndikim tejet negativ dhe do të mund ta rrezikonte në tërësi formimin e institucioneve, sepse nuk duhet të harrojmë që seanca konstituive thirret brenda një afati 30-ditor, por i cili, në rastin më të mirë, nuk mund të jetë më pak sesa dy apo tre ditë, sepse ka punë përgatitore dhe është zgjedhja e qeverisë, votimi i buxhetit e një sërë çështjesh tjera që ndodhin para zgjedhjes së presidentit, që nënkupton se rreziku për ta cenuar mundësinë e zgjedhjes në kohë të presidentit është evident në këtë situatë”, tha Cakolli për Periskopin



