Rohde pas vendimit të Kurtit për tokën e Manastirit të Deçanit: Moment historik

Rohde pas vendimit të Kurtit për tokën e Manastirit të Deçanit: Moment historik

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë Kurti për të urdhëruar kalimin e 24 hektarëve tek Manastiri i Deçanit është një moment historik.

Rohde ka thënë se edhe pese zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm të Kosovës për sundimin e ligjit.

Ambasadori gjerman ka falënderuar të gjithë aktorët politikë, përfshirë edhe Manastirin e Deçanit.

“Vendimi i Deçanit ishte shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e 🇽🇰 për sundimin e ligjit. Urojmë qeverinë e Kosovës, të gjithë aktorët politikë të përfshirë dhe
Manastirin e Deçanit në këtë moment historik”, ka shkruar Rohde.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar. Sipas tij, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”. Kurti ka thënë se vendimin vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, por ka shtuar se pranimi në KiE do të ishte fitore historike.

“Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por me gjithë këtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë hap përpara me maturi e përgjegjësi si vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë agjencionit kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Kurti.

Shpërndaje në: