Rrëfim ekskluziv i Majlinda Kelmendit

Rrëfim ekskluziv i Majlinda Kelmendit

Kjo e fundit e ka përmbledhur karrierën e xhudistes pejane përmes projektit “Njihuni me kampionët”. 25-vjeçarja ka folur për fillimin e karrierës, vështirësitë nëpër të cilat ka hasur gjatë rrugëtimit e deri tek sukseset e njëpasnjëshme, që e bëjnë atë mbretëreshë të këtij sporti në botë. Majlinda është shembull i një sportisteje pa behane

Majlinda Kelmendi ka qenë pjesë e serisë së dokumentareve të realizuara nga Federata Evropiane e Xhudos (EJU), e cila përmes projektit të saj takon kampionët e ndryshëm botërorë të xhudos, duke i njoftuar njerëzit me personalitetin, jetën dhe karrierën e tyre në detaje.

E Majlinda pa dyshim se ka pasur material të bollshëm për EJU-në, pasi vjen nga një vend i cili ka dalë nga lufta dhe ka hasur në vështirësi të ndryshme gjatë karrierës.

E lindur më 9 maj 1991 në Pejë, Majlinda ka folur për fillimet e karrierës e deri tek medalja olimpike, të cilën ua shtoi titujve të kampiones evropiane dhe asaj botërore, për ta kompletuar një karrierë të jashtëzakonshme deri më tash.

Ajo e kishte nisur karrierën qysh në moshën 8-vjeçare. “Motra ime më thërriste çdo ditë. Ajo vazhdonte të thoshte se ishte zbavitëse, por unë nuk dëshiroja të shkoja, sepse isha e qetë dhe nuk dëshiroja të takoja njerëz të tjerë. Nuk ishte dëshirë imja dhe në fillim nuk e kuptoja se çka po bënin”, tregon fillimisht Majlinda në dokumentarin në fjalë.

Më pas asaj filloi t’i hynte në qejf ky sport luftarak dhe udhëtimin e parë e pati në Sarajevë. Ajo u kthye në kryeqytetin boshnjak në vitin 2006 për ta fituar medaljen e parë historike në arenën ndërkombëtare. Në atë kohë ajo po e përfaqësonte Shqipërinë. Zhvillimi i Majlindës mori hov me kalimin e viteve dhe ajo u bë njëra prej xhudisteve më të fuqishme në botë. Pasi Kosova nuk ishte e pranuar në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos, Majlinda garonte me flamurin kuqezi.

“Unë gjithmonë e them se ne jemi njerëz të njëjtë (me Shqipërinë) dhe e flasim të njëjtën gjuhë. I kemi traditat e njëjta. Sidoqoftë, natyrisht se gjithmonë kam dashur ta përfaqësoj vendin tim, sepse jam lindur këtu dhe gjithçka ka nisur këtu, në Kosovë, në këtë vend të vogël. Shqipëria ka mbi 100 vjet pavarësi, por Kosova është vend i ri dhe gjithmonë dëshiroja të isha njëra prej promovueseve të vendit tim, që t’i tregoja botës se vendi im është i mirë, që njerëzit janë të mirë dhe se kemi fëmijë të talentuar”, ka shtuar ajo.

EJU-a i ka përmendur në detaje medaljet e fituara nga Majlinda në vitet e fundit e deri tek Olimpiada e Londrës, ku dështoi të fitonte medalje pasi u eliminua befasisht nga Christianne Legentil. Ky eliminim i shkaktoi asaj depresion për disa muaj. Sidoqoftë, ajo e kaloi edhe këtë gjendje emocionale dhe shikoi përpara.

Më në fund arriti momenti i shumëpritur: nga viti 2013 Majlinda mundi ta përfaqësonte Kosovën pasi IJF-ja e pranoi Federatën e Xhudos. Më 27 gusht Kelmendi u bë kampionia e parë botërore e Kosovës në Rio de Janeiro.

“U ndjeva mjaft mirë dhe e nderuar kur IJF-ja na pranoi dhe që isha në gjendje ta përfaqësoja Kosovën për herë të parë. Ishte edhe më domethënëse ta fitoja medaljen dhe mendoj se ia demonstrova botës se ne e meritonim të pranoheshim”, shtoi ajo.

Më 9 dhjetor 2014, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e pranoi Komitetin Olimpik të Kosovës dhe trajneri Driton Kuka kishte qarë pasi Kosova definitivisht po lejohej të marrë pjesë në Olimpiadë. Që nga ai moment në mendjen e Majlindës u fiksua medalja olimpike, pasi dëshironte ta bënte sadopak të lumtur popullin e përvuajtur.

Mirëpo, rrugëtimi nuk ishte aspak i lehtë pasi ajo u përball me lëndime dhe i është dashur të operohej, duke mbetur jashtë xhudos për afro një vit.

Sidoqoftë, Majlinda u kthye më e fortë se kurrë. 7 gushti 2016 ishte dita të cilën ajo po e priste tërë jetën. “Nuk mund ta besoja se isha bërë kampione olimpike. Unë po ecja duke qarë dhe trajneri im po ashtu. Ndjenjat dhe emocionet që i kam përjetuar në Rio janë pa dyshim kujtimet më të mira të jetës sime, por janë edhe disa gjëra që nuk mund t’i harroni kurrë. Për mua Londra 2012 dhe viti 2015 janë gjërat më të këqija të jetës”, ka thënë Majlinda.

Ajo u prit si heroinë në atdhe dhe e kujton me ëndje defilimin e saj në Prishtinë dhe në Pejë, pasi i tërë vendi po festonte dhe ajo mendon se ajo medalje ia kishte ngritur sadopak shpresat e tyre. Majlinda merret me xhudo qe 15 vjet dhe thotë se xhudoja është jeta e saj, pasi nuk bën asgjë tjetër pos të merret me këtë sport. Ajo dëshiron të jetë e suksesshme dhe shton se ka gjithçka në jetë dhe se nuk i mungon asgjë./Zeri.

Shpërndaje në: