Rreth 1 milion eurot e kapura në kufi, kërkohet paraburgim për tre personat e arrestuar

Rreth 1 milion eurot e kapura në kufi, kërkohet paraburgim për tre personat e arrestuar

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar paraburgim për tre personat e arrestuar me 24 shkurt duke tentuar të futen brenda Kosovës me një furgon që brenda kishte të fshehura rreth 1 milion euro.

Vepra për të cilët ngarkohen tre të dyshuarit E.A, A.K dhe A.L është “shpërlarje e parave”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, më 24.02.2026, rreth orës 13:00, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës me një furgon të tipit “Sprinter”, me targa shqiptare, të cilin e drejtonte i pandehuri E.A., i shoqëruar nga të pandehurit A.K. dhe A.L.Të njëjtit, pasi ishin ndaluar në pikën doganore në Merdar, ishin shprehur se nuk kishin asgjë për të deklaruar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Megjithatë pas kontrollit të detajuar nga njësitë relevante, brenda automjetit, në një hapësirë të modifikuar, janë gjetur 18 pako me para, të përbëra nga banknota të ndryshme prej 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro, që sipas vlerësimeve fillestare, shuma e përgjithshme arrin rreth një milion euro.

Shpërndaje në: