Rrugëtimi historik i Dritës: 16 ndeshje, fitore gjigante dhe kalim i grupit – mbi 6 milionë euro te ardhura
Kampioni i Kosovës Drita e ka mbyllur aventurën evropiane në play-offin e Ligës së Konferencës, pas një tjetër humbje të ngushtë nga Celje, ku rezultati i përgjithshëm doli të jetë 6-4.
“Intelektualët” zhvilluan një tjetër paraqitje solide por që ishin të pafat për të pësuar humbje prej 3-2, njësoi siç kishte ndodhur në Prishtinë.
Sidoqoftë, aventura e tyre në Evropë ka qenë më e mira ndonjëherë për një klub të Kosovës, ku me arritjet e tyre shkuan më larg se Ballkani.
Fillimisht, e kaluan raundin e parë të Ligës së Kampionëve, mirëpo u eliminuan në raundin e dytë, duke vendosur një rekord qysh në start si skuadra e parë që e kalon rrethin e parë kualifikues të ligës më prestigjioze në botë.
Pas kësaj, ranë në Ligën e Evropës, ku u mposhtën nga gjiganti rumun FCSB në raundin e tretë kualifikues, kësisoj iu nevojit me patjetër një fitore në play-offin e Ligës së Konferencës për t’i arritur grupet.



