Rusia 2018 | Gjermania apo Spanja, kush është më e fortë?

Rusia 2018 | Gjermania apo Spanja, kush është më e fortë?

Kampionati Botëror në futboll “Rusia 2018” po afron. Dy kombëtaret që argumentueshëm janë më të fortat në turneut më të rëndësishëm për kombëtare, shkruan Periskopi, janë Spanja, Kampionja e Botës në vitin 2010, dhe Gjermania që e fitoi Kupën e Botës më 2014.

Spanja, sipas Transfermakt, është kombëtarja me lojtarët më të shtrenjtë që së bashku e kapin shifrën 1,04 miliardë eurove. Gjermania ndërkohë, poashtu e arrin miliardëshin, duke qenë vetëm pak më poshtë, me 1,02 miliardë [dhe prapa Francës, e cila vlen 1,04].

Lojtarët më të shtrenjtë te Gjermania janë Toni Kroos, me 72 milionë, Mats Hummels, Marc-Andre ter Stegen dhe Timo Werner me 54, Thomas Muller e Joshua Kimmich me 49,50 dhe Mesut Ozil me 45 milionë.

Te Spanja, lojtari më me vlerë është Sergio Busquets me 72 milionë poashtu, por lojtarët që pasojnë janë më të shtrenjtë se ata të Gjermanisë: Isco – 67,50; Marco Asensio – 67,50; David De Gea – 63; Koke 63; Saul Niguez – 63; Diego Costa – 54; Thiago – 54; Jordi Alba – 54; Dani Carvajal – 54.

Siç e shihni, te Spanja vlerë më pak se 50 milionëshe iu është dhënë superyjeve të saj si Sergio Ramos [40], Gerard Pique [45], David Silva [27] dhe Andres Iniesta [9], shkruan Periskopi.

Mes Spanjës dhe Gjermanisë, cilësia e lojtarëve qëndron dukshëm te Spanja. Po njësoj edhe te përvoja.

Në ranglistën e FIFA-s, Spanja është e teta ndërsa Gjermania është e para.

Këto dy kombëtare e zhvilluan një ndeshje më 23 mars në Dyzeldorf të Gjermanisë, që përfundoi baraz 1 me 1. Në dy ndeshjet e mëvonshme, Gjermania zhgënjeu edhe përballë Brazilit [0-1] por edhe përballë Austrisë [1-2]. Ndërkohë që Spanja, e ka mundur 6 me 1 Argjentinën dhe mbrëmë barazoi 1 me 1 përballë Zvicrrës.

Para nisjes së Botërorit, këto kombëtare do të luajnë edhe nga një ndeshje. Gjermania përballë Arabisë Saudite ndërkohë që Spanja përballë Tunizisë.

Spanja është në grupin B, me Portugalinë, Iranin dhe Marokun. Një grup jo aq i zorshëm për të përzgjedhurit e Lopeteguit. Ndërsa Gjermania është në grupin F, përballë Meksikës, Suedisë dhe Koresë së Jugut. Të dyja kombëtaret pra, do të kenë punë të lehtë në fillim në Botëror – dhe është e mundur që të takohen në finale me njëra – tjetrën, siç nuk ka ndodhur ndonjëherë tjetër.

Pika më e dobët e kombëtares spanjolle është faza sulmuese. Ata e kanë në skuadër Diego Costan, por i cili ka pak paraqitje për “La furia roja-n” ndërsa zëvendësuesit e tij janë edhe më të papërvojë, dhe më jocilësorë, si Iago Aspas, Lucas Vasquez dhe Rodrigo Moreno.

Pika më e dobët e kombëtares gjermane është mesfusha e saj, e cila ka mungesë kreativiteti dhe komponueshmërie.

Lojtarët kryesorë te Spanja do të jenë portieri De Gea, dyshja e qendrës së mbrojtjes, Ramos-Pique, dhe mesfushorët Andres Iniesta, David Silva dhe Isco.

Te Gjermania, barrën kryesore të skuadrës pritet ta kenë Manuel Neuer, Mats Hummels, Toni Kroos, Mesut Ozil dhe Thomas Muller.

Asnjëra prej të dyja kombëtareve nuk varet nga një individ i vetëm – gjë e cila ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Sidoqoftë, agresiviteti i Gjermanisë pritet të jetë më i dobishëm në Botëror se sa kreativiteti i Spanjës. Mes Spanjës dhe Gjermanisë, kjo e fundit ka më shumë gjasa për të marrë lavdinë në Botëror. /Periskopi

Shpërndaje në: